Konfindustria: Banka e Shqipërisë të ulë normën bazë të interesit për lekun

Gjergj Buxhuku
Konfindustria i kërkon Bankës së Shqipërisë, që në një kohë sa më të shpejtë, të rivlerësojë politikën monetare duke ulur normat bazë të interesit për monedhën kombëtare. Sipas, Konfindustrisë ky hap duhet marrë si nxitje duke marrë parasysh nivelin e ulët të shpenzimeve publike të parashikuara në buxhetin e vitit 2012-të.
Nxitja e kreditimit nga sektori bankar kthehet në një nga mënyrat e pakta në dispozicion për të shpresuar në arritjen e parashikimeve buxhetore ose të paktën në mbajtjen në vlera pozitive të rritjes ekonomike të vendit në vitin e vështirë 2012, shprehet Gjergj Buxhuku, administrator i përgjithshëm i Konfindustrisë.
Sipas saj, rënia e treguesit të konsumit në një vlerë prej mbi 2% të vërtetuar në pjesën e parë të vitit 2011 shpreh qartë mungesën e likuiditetit në ekonomi shoqëruar edhe rënien e besimit konsumator.
Në këtë kuadër theksohet se çdo rënie e mëtejshme do të prekte ndjeshëm industritë prodhuese vendore duke rrezikuar kështu hyrjen e ekonomisë në një cikël të mbyllur negativ me pasoja të rënda në qëndrueshmërinë makroekonomike të vendit, papunësinë dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë.