E Diel, 1 Nëntor 2026

Konfindustria: E pamjaftueshme, njohja për faljen e taksës fiskale

Konfindustria ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me mosinformimin e publikut për taksën fiskale. Në një deklaratë për shtyp, administratori i përgjithshëm, Gjergj Buxhuku ka theksuar se edhe pse ndodhemi në muajin e dytë të zbatimit të faljes fiskale, numri i rasteve të përfshirjes në proces të kapitaleve të individëve, është tepër i ulët.

Ndërkohë në këtë drejtim, ai ka shtuar se njohuritë e emigrantëve shqiptare për procesin dhe procedurat e faljes fiskale janë të papërfillshme.

“Alb Konfindustria vlerëson, se në rast të mosmarrjes së masave të jashtzakonshme në një kohë sa më të shpejtë, mund të dështojë shtylla kryesore e përfitimit të ekonomisë kombëtare nga falja fiskale, që është hyrja në sistem e të ardhurave personale të qytetarëve shqiptare me banim jashtë vendit. Në këtë rast rrezikohet të dështojë i gjithë procesi i faljes fiskale”, thuhet në këtë deklaratë për shtyp, të Konfindustrisë.

Ndër të tjera, Konfindustra vlerëson, se thithja e burimeve financiare nga jashtë nëpërmjet edhe procesit të faljes fiskale, është jashtëzakonisht e rëndësishme sidomos në kushtet kur ekonomia kombëtare po jep shenja të qarta të uljes se rendimentit fiskal të shprehur së fundmi edhe në shkurtimin e ndjeshëm prej pothuaj 200 milion të shpenzimeve qeveritare për vitin financiar 2011.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›