Konfindustria: Jo vonesa në ekzekutimin e kolateraleve bankare

Konfindustria i kërkon Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Ministrisë se Drejtësisë të veprojnë me dorë të hekurt ndaj gjyqtarëve që pengojnë ekzekutimin e kredive të këqija, me pasojë dëmtimin e rëndë të sistemit bankar.
Tre ditë pasi ministri Eduard Halimi kërkoi procedim disiplinor për 5 gjyqtarë që bllokuan procedurat për ekzekutimin e kolateraleve të kredive të këqija, Konfindustria kërkon ashpërsim të masave ndaj sistemit të drejtësisë.
Sipas këtij institucioni janë të shumta rastet në të cilat gjyqtarët bllokojnë ose vonojnë në kundërshtim me ligjin ekzekutimin e kolateraleve bankare. Vlerësohet se aktualisht bankat kanë prona të bllokuara nëpër gjykata me vlerë prej rreth 150 milionë euro.
Ndërkaq, duke marrë shkak nga të dhënat shqetësuese për tejkalimin e pragut 20% të masës së "kredive të këqija" kundrejt portofolit të përgjithshëm të raportuara në 5 mujorin e parë të 2012-s, Konfindustria mbështet parimisht propozimin e Bankës së Shqipërisë për institucionet vendimmarrëse politike, që këto të fundit të kryejnë ndryshimet e nevojshme ligjore për kthimin në "titull ekzekutiv" të kontratës së kredimarrjes, sa i përket kolateralit.
Ky vendim sipas Kondinfudstrise do të bënte të mundur riqarkullimin me efektivitet të aseteve dhe kapitaleve financiare, të bllokuara deri më tani në biznese të falimentuara dhe tregje te ngopura, në përfitim të ekonomisë kombëtare.