Bankat me fitime ne gjashte muajt e pare te 2012
Aktivet e sistemit bankar në Shqipëri kanë shënuar një rritje vjetore për periudhën janar-qershor të 2012-ës. Sipas të dhënave më të fundit të SHSHB në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit aktivet arritën në 1,158 milirdë lekë apo një rritje me 10,9%. Gjithashtu edhe depozitat e vendosura pranë bankave në fund të tremujorit të dytë të vitit u rritën me 23.5 miliardë lekë më shumë se tremujori i parë i 2012-ës, duke shënuar një rritje vjetore prej 12.2 % në fund të qershorit. Shtimi i depozitave ka vijuar kryesisht nga individët në tremujorin e parë dhe nga rritja e depozitave të bizneseve në tremujorin e dytë. Gjithashtu sipas raportit të Shoqatës shqiptare të bankave gjatë pjesës së parë të vitit ka pasur një ecuri positive edhe për kreditë duke nxitur më tej zhvillimin e aktivitetit ekonomik në vend. Kështu në fund të muajit qershor kreditë e bankave për ekonominë shënuan një rritje vjetore me 9,3%. Rritja e portofolit të kredisë në tremujorin e dytë 2012 ka ardhur plotësisht nga zgjerimi i kredisë në monedhën vendase, stoku i së cilës ishte 3.4% më i lartë në fund të qershorit krahasuar me marsin 2012. tremujori i dytë i vitit karakterizohet edhe nga një rritje e kredive për bizneset kryesisht në kategoritë e kredive për kapital qarkullues dhe makineri e pajisje, ndërsa ka qenë më e dobët kredia e dhënë ndaj individëve. Por gjatë periudhës prill-qershor të vitit raporti i SHSHB flet për një rritje të kredive të këqija të cilat kanë arritur në 21,1%. Gjithsesi bankat që operojnë në vend raportojnë një mirëkapitalizim me një rritje të mjaftueshme të kapitalit në 15,7%.