Konfindustria: Masat e BSH, pa efekt
Ulja e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë nuk do të ndikojë në rritjen e kreditimit të biznesit, pasi sistemi bankar në vend nuk funksionon normalisht. Në këtë përfundim ka arritur një nga organizatat kryesore të biznesit shqiptar, Konfindustria, e cila doli dje me një deklaratë për këtë çështje.
Nëpërmjet administratorit të Përgjithshëm, Gjergj Buxhuku, Konfindustria, e mbështeti në parim vendimin e marrë së fundmi nga Banka e Shqipërisë për uljen e normës bazë të interesit prej 0.25 përqindësh, por shprehu gjykimin e saj se “ka mundësi të kufizuara që vendimi i mësipërm të transmetohet dhe të ndikojë në zbutjen e termave të kreditimit të bizneseve nga sistemi bankar të nivelit të dytë, që janë nga më të lartat jo vetëm me vendet e BE-së por edhe me vendet e rajonit”.
Konfindustria gjykon, se shkak për përfundimin e mësipërm është mënyra sesi është ndërtuar dhe funksionon sistemi bankar shqiptar i nivelit të dytë, në të cilin vihet re shkallë e ulët konkurrence ndërmjet operatorëve bankarë, që tregon shenja të dukshme të sjelljeve të tregut oligopol. Dukuria e mësipërme është veçanërisht e dukshme në tregtimin e letrave me vlerë të qeverisë, ku kërkohet marrja e veprimeve të shpejta për të nxitur konkurrencën e pamjaftueshme të deritashme. Gjithashtu, duke pasur parasysh masën e kreditimit në monedhën kombëtare lek prej më pak se 30% në shumën e përgjithshme të kreditimit, vendimi i mësipërm i Bankës së Shqipërisë në rastin më të mirë do të ketë ndikim të pakët në ekonominë reale të vendit.
Parë nga këndvështrimi i domosdoshmërisë së qëndrueshmërisë së monedhës kombëtare, Konfindustria mbështet çastin e marrjes së vendimit të uljes së normës së interesit nga Banka e Shqipërisë, që përkon me shtimin relativ vjetor të zakonshëm të prurjeve të monedhave të huaja si pasojë e pikut të shërbimeve të industrisë turistike, si dhe shtimit të prodhimit bujqësor vendor.
Organizata e biznesit, mbështetur në të dhënat e saj, vlerëson se ekonomia shqiptare dhe veçanërisht industritë vendore kanë nevojë të ndjeshme për likuiditet të shfaqur dukshëm në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2009 dhe të vazhduar në gjashtëmujorin e parë të vitit 2010.