Përplasja mazhorancë-President, PD bën një hap mbrapa

Mazhoranca bën një hap mbrapa për sa i takon konfliktit që ndezi tri ditë më parë për çështjen e Gjykatës Kushtetuese me Presidentin Bamir Topi. Demokratët shkojnë në prapavijë, duke e mbyllur deri këtu çështjen mbi Gjykatën Kushtetuese, për ta risjellë sërish në skenën politike gjatë muajit shtator. Këmbënguljes së kampit blu se Presidenti Topi ka shkelur dokumentin themeltar të shtetit dhe se të djathtët nuk do të presin shtatorin për ta bërë Gjykatën Kushtetuese me kryetar juridik, mazhoranca i ka dhënë fund. Ndodhi ajo që ishte parashikuar në fakt, që konflikti mazhorancë-presidencë do të ngelej vetëm një çështje deklarative. E djathta nuk ka numrat për të realizuar shkarkimin e Presidentit dhe duket se nuk ka gjetur hapësira ligjore për të detyruar largimin e kryetarit aktual të Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, të cilit i ka mbaruar mandati më 7 qershor. Sekretari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Eduard Halimi, tha dje se deklarata e tij një ditë më parë është keqinterpretuar në lidhje me përplasjen e mazhorancës me Presidentin për Gjykatën Kushtetuese. Deputeti Halimi thotë se “Parlamenti do të mblidhet në një seancë vetëm në rast se Presidenti i Republikës do të sjellë emrin për kryetarin e Gjykatës Kushtetuese përpara muajit shtator dhe se ekzistojnë të gjitha mjetet dhe mekanizmat që Gjykata Kushtetuese të rivendoset në kuadrin kushtetues në rast se një veprim i tillë do të ndodhë”. Ndryshe nga një ditë më parë, mazhoranca nis një qëndrim më të zbutur ndaj Presidentit Topi, cili e ka thënë tashmë qartësisht fjalën e vet, se emrat e rinj të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe emri i kryetarit do të vijnë më 6 shtator. Në lidhje me deklaratat e një dite më parë për ngritjen e një aksioni ligjor nga ana e mazhorancës për të zgjidhur ngërçin brenda Gjykatës Kushtetuese, deputeti Halimi i hedh poshtë një ditë më pas. Gjatë kësaj jave, deputetët e Partisë Demokratike kanë lëshuar akuza në seri, se Presidenti i Republikës ka shkelur Kushtetutën. Demokratët duket se kanë qenë të vetëm në këtë betejë, pasi aleatët e tyre, Lëvizja Socialiste për Integrim, është hedhur në mbrojtje të kreut të shtetit. Presidenca në qëndrimin e saj ka bërë me dije se “pengesë ka qenë burokracia e Kuvendit dhe zgjatja, mënyra e procedimit nga vetë Kuvendi i Shqipërisë në miratimin të paktën të atyre kandidaturave që janë paraqitur nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Kreu i shtetit i ka respektuar të gjitha ligjet”. Kështu është shprehur këshilltari juridik i Presidentit, Spiro Peçi, duke iu përgjigjur deklaratës së parë të deputetit Eduard Halimi për akuzat ndaj kreut të shtetit, me pretendimin se ky i fundit ka shkelur mbi dokumentin themeltar të shtetit. “Presidenti ka shkelur rëndë Kushtetutën. Të mblidhet urgjent Parlamenti, për të bërë miratimin e kreut të ri të Gjykatës Kushtetuese, pasi atë ta emërojë kreu i shtetit. Paraardhësi i z.Kristo ka dhënë dorëheqjen nga detyra ditën që i mbaroi mandati”, ka thënë deputeti Halimi në deklaratën e tij të parë.
#