E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfindustria: Qeveria të krijojë Entin Rregullator

Konfindustria, duke marr shkak nga shenjat e dukshme të keqfunksionimit në vazhdimësi të tregut të karburanteve, i ka kërkuar së fundmi zyrtarisht kryeministrit Sali Berisha, krijimin dhe fillimin sa më të shpejtë të veprimit të Entit Rregullator të Karburanteve (ERK). Institucioni në fjalë duhet të shërbej si vëzhgues dhe rregullator për çrregullimet dhe keqpërdorimet e "cilesisë", "çmimeve" të karburanteve në qarkullim në Shqipëri sikundër edhe "liçensimet" e operatorëve në tregun strategjik të karburanteve si tregu më i madh në vend me qarkullim 850 milion-1 miliard euro/vit dhe me pasoja të drejtpërdrejta të dëmshme në kostot e biznesit, industrive dhe qytetarëve shqiptare.

Konfindustria, në kushtet kur shteti shqiptar nuk ka më asnjë operator publik për të ndërhyrë drejtpërdrejt per te rregulluar çrregullimet e tregut strategjik te karburanteve, kërkon ngritjen sa më shpejte të Entit Rregullator të Karburanteve.

Kostot shtesë të drejtpërdrejta nga "cilësia", "çmimi" dhe abuzimet me "vëllimet" e shitjes për konsumatoret të krijuara në vazhdimësi nga keqfunksionimi i tregut të karburanteve vlerësohen në mbi 150 milion/vit. Nëse llogariten edhe dëmet ekonomike në shëndetin publik, mjedis dhe makineri dhe pajisje, dëmet ekonomike janë të papërballueshme për ekonominë kombëtare dhe rrezikojnë seriozisht rritjen ekonomike të vendit përfshi edhe parashikimin qeveritar në shifrat 6.5% në PBB për vitin 2011.

Konfindustria shpreh vlerësimin për veprimet institucionale të ditëve të fundit të ndërmarra nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës për rritjen e kontrollit shtetëror me qëllim përmirësimin e funksionimit të tregut të karburanteve.
 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›