Shkodër, investimet në zonat malore, problematike
SHKODËR - Zonat malore të rrethit të Shkodrës paraqiten problematike lidhur me realizimin e investimeve. Këtë fakt e ka pohuar drejtorja e degës së thesarit në qarkun e Shkodrës, Emilia Koliqi, e cila ka theksuar se grumbullimin më të dobët të të ardhurave të njësive të qeverisjes vendore e kanë zonat malore, të cilat rrezikojnë dhe të mos realizojnë as investimet e parashikuara prej vetë atyre. Sipas Koliqit , komunat Pult, Shalë, Shosh e Shllak kanë nivele të ulëta të realizimit të të ardhurave. Komuna Pult paraqitet ne kuotën e 5%, komuna Shosh 2 %, komuna Shalë 11% dhe komuna Shllak 14%. Këto nivele do të bëjnë që këto njësi të qeverisjes vendore të mos realizojnë investimet në mirëmbajtje rrugësh apo në objekte të tjerë të parashikuara. Përherë dhe më shumë këto investime janë mbështetëse të reformave të mëdha që po zhvillohen si nga qeverisja qendrore, ashtu dhe qeverisja vendore. Ndërsa prefekti i qarkut Shkodër, Maxhid Cungu, ka theksuar se kryetarët e njësive të qeverisjes vendore duhet të tregohen të kujdesshëm në drejtim të efikasitetit të realizimit të investimit dhe për trajnimin dhe aftësimin në programin elektronik të zyrave të gjendjeve civile. Cungu ka theksuar se janë financuar projektet e rikonstruksionit të zyrave të Komunës Bërdicë në vlerën 600 mijë lekë, Bashkisë Shkodër në vlerën 3,1 milionë lekë, Komunës Dajç në vlerën 600 mijë lekë, Bashkisë Vau Dejës në vlerën 1,4 milionë lekë, Komunës Postribë në vlerën 398 mijë lekë, në komunën Guri i Zi në vlerën 472 mijë lekë, në komunën Bushat në vlerën 472 mijë lekë, Komunën Ana e Malit në vlerën 701 mijë lekë, komunën Shalë në vlerën 754 mijë lekë.Në rrethin e Malësisë së Madhe, rikonstruksioni i zyrës së gjendjes civile në vlerë 733 mije lekë, Bashkisë Koplik në vlerën 1.5 milionë lekë, komunën Qendër Koplik në vlerë 733 mijë lekë, Komunën Kastrat në vlerë 733 mije lekë.Në rrethin Pukë, rikonstruksioni i zyrave të gjendjes civile të Bashkisë Pukë në vlerë 550 mijë lekë, Bashkisë Fushë - Arrës në vlerën 350 mije lekë, Komunën Gjegjan në vlerë 498 mije lekë, Komunën Qerret në vlerë 675 mijë lekë, Komunën Iballë në vlerë 730 mijë lekë.