Çështjet e pronave mbysin Gjykatën e Shkodrës
SHKODËR - Konfliktet e pronësisë të cilat i drejtohen organeve të drejtësisë për zgjidhje janë shtuar së tepërmi muajt e fundit. Ky fakt pohohet nga burime zyrtare të Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër, sipas të cilave në tre muajt e fundit të këtij viti, janë 95 çështje gjyqësore që kanë për objekt probleme pronësie. Nga këto, 66 janë të mbartura nga tremujori i dytë i këtij viti, ndërsa 29 janë çështje të reja. Nga kërkesat e ardhura këtë tremujor, 12 janë pranuar për shqyrtim nga gjykata, 18 janë pushuar dhe një është rrëzuar. Nga numri i përgjithshëm i 95 çështjeve gjyqësore të këtij viti me objekt pronësinë, 31 prej tyre kanë përfunduar, ndërsa 64 të tjera janë në proces gjyqësor. Por edhe pas përfundimit të 31 çështjeve, sërish ka palë të pakënaqura. Kjo vërtetohet nga 22 ankimimet që janë bërë për vendimet e dhëna deri tani nga Gjykata e Shkallës së Parë. Këto tregojnë problemet e shumta që kanë të bëjnë me pronësinë në rajonin e Shkodrës, duke shkaktuar konflikte të ndryshme mes palëve. Nga fillimi i këtij viti, në qarkun e Shkodrës ka pasur tre vrasje për motive pronësie dhe pesë plagosje po me këtë motiv. Por përveç këtyre çështjeve, në gjykatë janë depozituar dhe një numër jo i vogël çështjesh të individëve apo subjekteve me zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, ku qytetaret procedojnë mbi ankesat apo problemet që kanë lidhje me pronësinë. Po ashtu, gjykatës i drejtohen për zgjidhje dhe probleme që lidhen me legalizimet apo pronësinë e tokës.