Konfindustria kundër planit të FMN-së për rritje taksash

Konfindustria, shpreh kundërshtimin e saj për planin e Fondit Monetar Ndërkombëtar FMN që parashikon rritje taksash për të plotësuar rënien e të ardhurave në buxhetin e shtetit.Në një deklaratë për shtyp konfindustria thekson se propozimi i FMN-së ishte shprehur në takimin trepalësh të ditëve të fundit me përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë për rritjen e taksave si mënyrë për të plotësuar rënien e të ardhurave fiskale në buxhetin e shtetit në 6 mujorin e parë të vitit 2011, në kushtet e rënies së rendimentit fiskal të ekonomisë shqiptare.
Administrator i Përgjithshëm i Konfindustrisë Gjergj Buxhuku thekson se skenari i rritjes së taksave në kushtet e sotme do të thotë, që përveç pasojave të rënda sociale do të shkaktoj uljen e mëtejshme të kërkesës së brendshme dhe fuqisë blerëse edhe kështu mjaft e ulët, duke rrezikuar seriozisht, që ekonomia kombëtare të hyj në një rreth të mbyllur, që vë në dyshim mundësitë dhe shpresat për rritje në të ardhmen.
“Të dhënat e 3 mujorit të pare të vitit 2011 flasin qartë për uljen e dukshme të treguesve të konsumit dhe mbështesin arsyetimin e mësipërm”, thekson Buxhuku.
Nga ana tjetër ai vlerësin se rritja e taksave, në kushtet kur nevoja për tërheqjen e investimeve është e madhe në të gjithë vendet e rajonit do të thotë drejtpërdrejt një ulje të forcës konkurruese të Shqipërisë në garën e ashpër në zhvillim e sipër ndërmjet vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor duke shtuar ketu edhe Greqinë e prekur rëndë nga kriza financiare.
Konfindustria gjithashtu konstaton se ndryshimi kaq i shpejtë në pak vite me drejtim rritje të nivelit të taksave në Shqipëri i propozuar nga FMN do të ishte një sinjal negativ për investitorët e vendit dhe të huaj për qëndrueshmërinë e politikave fiskale të qeverisë shqiptare me pasoja të rënda në afatgjatë për ekonominë kombëtare.