Të ardhurat e emigrantëve dhe kursi këmbimit

Të ardhurat e emigrantëve ditëve të fundit duket se po japin ndikimin e tyre të parë. Kështu, në kursin e këmbimit valutor, një euro është shkëmbyer me rreth 141 lekë duke humbur afërsisht dy pikë. Vetëm një javë më parë, një euro shkëmbehej me reth 143 lekë një kuotë e cila është përcaktuar mjaft e lartë kundrejt një monedhe vendase. Specialistët shpesh e kanë përcaktuar këtë vlerë të euros si mjaft të lartë por pavarësisht kësaj, efektin e vërtetë e kanë ndjerë ata persona të cilët kanë marrë kredi në monedhën euro. Specialistët shpjegojnë se një ndikim në uljen e vlerës së euros ndaj lekut shqiptar kanë pasur edhe të ardhurat prej turistëve. Edhe pse jemi në fillim të sezonit turistik, ulja e vlerës së euros edhe pse në një kuotë shumë të vogël e konfirmon një gjë të tillë. Por cilët janë ata persona të cilët preken më shumë prej shvlerësimit të lekut shqiptar?
Sipas specialistëve, ata persona të cilët kanë marrë kredi në monedhën e uropiane euro do të jenë ata që do të humbasin dhe që do të preken më tepër prej shvlerësimit të lekut shqiptar. Kohët e fundit është deklaruar shpesh se ka pasur nje rritje të kredive të këqija dhe mesa duket kjo ka pasur si ndikim edhe vlerësimin e euros dhe si rezultat pamundësinë për pagimin e kredive prej bizneseve. Gjithsesi ajo që duhet përmendur se revanshi i euros është ulur dhe pritshmëritë janë të mëdha për të pasur një vlerësim të monedhës shqiptare të paktën gjatë sezonit të verës.