E Diel, 1 Nëntor 2026

Konfindustria, kundër rritjes së çmimeve nga Albtelekom

Konfindustria, kundërshton rritjen e përsëritur të tarifës së abonimit në kompaninë e telefonisë fikse Albtelekom për qytetarët dhe bizneset, që pritet të hyjë në fuqi në muajin shtator 2010. Sipas të dhënave parashikohet një shtim i tarifës së abonimit vetëm

për qytetarët prej 28% përfshi edhe TVSH, krahasimisht vlerës së tashme. Pas privatizimit të kompanisë janë rritur në mënyrë të përsëritur tarifat e abonimit për bizneset dhe qytetarët. Në vlerë të plotë përfshi edhe rritjen e fundit janë me dhjetëra milionë dollarë shtim i të ardhurave të kompanisë në ngarkesë të kostove të bizneseve dhe qytetarëve nga tarifa fikse e abonimit, krejtësisht e shkëputur dhe pavarësisht cilësisë së shërbimit. Në një njoftim për shtyp konfindustria, kërkon nga vendimmarrja politike të kërkojë nga enti dhe institucionet rregullatore të ngarkuar me ligj AKEP-Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postave, që sa më shpejt të kryejë tejdukshmërinë e procesit në fjalë përballë interesit publik. Është e papranueshme dhe njëkohësisht edhe një shembull i keq për sektorët e tjerë strategjike të ekonomisë, që rregullohen me ligj të veçantë dhe janë me ndikim të ndjeshëm në interesin publik dhe ekonominë e vendit, që rritja e çmimeve të mos i nënshtrohet një debati të hapur ku të paraqiten qartë të gjithë arsyet profesionale për pranimin e kërkesave të operatorëve privatë. Konfindustria, kërkon nga qeveria Shqiptare, Autoriteti i Konkurrencës, që sa më shpejt të ndërmarrin masat e duhura në zbatim të ligjit në mbrojtje të interesit publik. Në rast të kundërt vihet në dyshim vullneti dhe aftësia e enteve rregullatore për mbarëvajtjen e sektorit strategjik të telefonisë, duke vënë në dyshim edhe vetë procesin e privatizimit të sektorit në fjalë. Gjithashtu rrezikojmë, që edhe kompanitë e tjera private, që veprojnë në sektorët e tjerë strategjikë si p.sh energjetika, duke parë paaftësinë rregullatore të institucioneve shqiptare të kërkojnë rritje çmimesh në dëm të interesit publik, duke rrezikuar deri në prishje të qëndrueshmërisë makroekonomike dhe zhvillimit afatgjatë të ekonomisë kombëtare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›