Konfindustria letër Berishës për Gj. Administrative
TIRANE- Konfindustria, me cilësinë e institucionit nismëtar të krijimit të Gjykatës Administrative, ka kërkuar me letër zyrtare nga Kryeministri i Shqipërisë z. Sali Berisha dhe Kreu i Partisë Socialiste z. Edi Rama për ndërhyrjen e tyre institucionale dhe politike për miratimin sa më të shpejtë dhe me konsensus të Projektligjit për Gjykatën Administrative, që tashmë ndodhet në Kuvendin e Shqipërisë. Hapi i mësipërm vjen pasi Konfindustria shprehu qëndrimin e saj për krijimin sa më të shpejtë të Gjykatës Administrative të pavarur nga ekzekutivi si domosdoshmëri për industritë shqiptare në vecanti edhe në seancën dëgjimore të zhvilluar me Komisionin e Ligjeve të Kuvendit te Shqipërisë disa ditë më parë, duke vlerësuar njëkohësisht Projekt Ligjin përkatës të paraqitur nga Këshilli Ministrave.
Konfindustria vlerëson se është krejt i papranueshëm fakti që Shqipëria radhitet vendi i fundit edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor për mungesën e institucionit të Gjykatës Administrative pa përmendur vendet demokratike të BE. Mungesa e Gjykatës Administrative në Sistemin e Drejtësisë godet rëndë psikologjikisht dhe realisht jo vetëm industritë vendore por dhe qytetarët, që përballen çdo ditë me aktet administrative të institucioneve shtetërore.
Kofindustria vlerëson se Gjykata Administrative është domosdoshmëri për më shumë në kushtet e krizës globale ekonomike dhe financiare me pasoja të pashmangshme edhe në vendin tone ku pjesa më e prekur janë industritë shqiptare dhe në kushtet kur ligji i ashtuquajtur i "gjobave" është në fuqi. Në pamundësi objektive për të ndërtuar paketa financiare sikurse vendet e pasura dhe të zhvilluara të botës për përballimin e pasojave të krizës globale, vendimmarrja politike mund dhe duhet të paktën të përmirësoj me vepra dhe jo vetëm me fjalë klimën e mirëbesimit ndërmjet biznesit dhe shtetit, kusht shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit.
(O.Zh/ BalkanWeb)