E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr me të dashurën, e plagos me pistoletë

• SHKODER - Një 22-vjeçar plagos në grindje e sipër të dashurën e tij.Sikurse bëhet e ditur nga informacionet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Shkodrës, mëngjesin e djeshëm, pas një grindjeje mes dy të rinjve, një 20-vjeçareje dhe të dashurit të saj 22-vjeçarit Erjon Gruda, ky i fundit ka nxjerrë armën dhe e ka qëlluar atë duke e plagosur lehtë në këmbë. Kur ka parë se çfarë ka bërë, 22-vjeçari Gruda ka marrë automjetin e tij dhe e ka dërguar vajzën në spital për t'i dhënë ndihmën e parë mjekësore, nga ku është mësuar se ajo nuk ka rrezik për jetën. Pas kësaj ai ka njoftuar uniformat blu duke u vetëdorëzuar në polici, ku pasi ka dhënë shpjegimet e duhura, u ka dorëzuar edhe pistoletën me të cilën ai ka kryer plagosjen e vajzës. Gjatë deklarimeve të tij, Gruda u ka pohuar uniformave blu që çdo gjë ka ndodhur në banesën e tyre gjatë një grindjeje mes të rinjsh, por që gjithsesi ai nuk ka pranuar se ka dashur t'i ndodhë ndonjë gjë e keqe vajzës. Burime nga komisariati i policisë së Shkodrës pohojnë se 22-vjeçari Gruda kishte muaj që bashkëjetonte me 20-vjeçaren në një pallat në qendër të Shkodrës. Nga ana e saj, policia ka pohuar se është duke hetuar në lidhje me atë se si kanë ndodhur ngjarjet që kanë çuar në plagosjen e 20-vjeçares.  r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›