E Diel, 1 Nëntor 2026

Konfindustria pro biznesit të vogël në skemën e TVSH-së

16/09/2009  Buxhuku: Skema për prodhimet bujqësore dhe blegtorale ka dështuar

Grupimi më i madh i industrialistëve në vendin tonë, Konfindustria mbështet nismën për përfshirjen e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së. Administratori i Përgjithshëm i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, theksoi dje në një njoftim për shtyp se kjo nismë duhet të synojë luftën kundër evazionit fiskal dhe jo të jetë një mënyrë për të mbushur arkën e shtetit. “Konfindustria kërkon nga ekzekutivi shqiptar njëkohësisht, që me rastin e shtrirjes së TVSH-së të rivlerësojë rimbursimin edhe për zëra të ndryshëm të shpenzimeve të bizneseve në përgjithësi, që sot nuk rimbursohen dhe kalojnë si kosto shtesë e drejtpërdrejtë në mënyrë të paarsyeshme dhe në kundërshtim me përvojën e vendeve konkurrente tona të BE-së dhe jashtë saj”, – tha Gjergj Buxhuku.

Kërkesat

Konfindustria ka më shumë se 2 vjet që i ka kërkuar zyrtarisht Qeverisë shqiptare shtrirjen e TVSH-së në të gjithë kategoritë e biznesit. Kjo kërkesë është pjesë e një pakete kërkesash, mes të cilave përfshihet edhe vendosja e kasave fiskale, e cila është konsideruar nga bizneset si një masë e domosdoshme për të luftuar evazionin fiskal që mbi të gjitha është goditje ndaj industrive dhe prodhimit vendor. “Duke qenë të bindur se një masë e tillë është e domosdoshme dhe do të prodhojë vlera pozitive për ekonominë, biznesin, qytetarët dhe të ardhurat e buxhetit të shtetit, Konfindustria kërkon që të fillojë sa më shpejt zbatimi i saj”, - theksoi administratori i Përgjithshëm i Konfindustrisë.

Rimbursimi i prodhimeve bujqësore

Konfindustria kërkon në mënyrë të veçantë nga vendimmarrja politike, që të shikojë me përparësi në mënyrë të veçantë, çështjen e rimbursimit të TVSH-së për prodhimet bujqësore dhe blegtorale. “Është fakt që skema e vendosur përpara 1 viti kur lejohet rimbursimi në masën prej 6 përqindësh e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale ka dështuar. Nga shuma e përllogaritur në buxhet prej afër 50 milionë dollarë për rimbursimin e TVSH-së me skemën në fuqi për prodhimet bujqësore dhe blegtorale nuk është përdorur pothuaj asgjë. Kjo do të thotë, që fermerët shqiptar të ngarkohen me kosto shtesë krejtësisht të paarsyeshme dhe që godet në mënyrë të rëndë aftësinë konkurruese të tyre edhe kështu mjaft të ulët në raport me prodhimet e importit”, - tha Buxhuku. Konfindustria kërkon shtrirjen e rimbursimit të TVSH-së edhe për zëra të tjerë të shpenzimeve të bizneseve. Këto shpenzime aktualisht nuk rimbursohen dhe kalojnë si kosto shtesë në kundërshtim me praktikat e vende të BE-së, por edhe jashtë saj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›