Konfirmimi/“Nga 1 korriku, rritja më e madhe e pagave dhe e pensioneve”

PD: Shokët bllokmenë, në krizë të thellë, sulmojnë ekonominë e tregut të lirë
Partia Demokratike reagoi përsëri dje ndaj sulmeve të opozitës për ekonominë e vendit. Selia blu deklaroi përmes zëdhënëses se Shqipëria nuk vuan nga asnjë krizë dhe se ajo është vetëm në mendjen e Edi Ramës.
Partia Demokratike garanton të gjithë shqiptarët se përkundrejt zërave dhe kritikave të opozitës për ekonominë, qeveria do bëjë rritjen më të madhe të pagave dhe pensioneve duke filluar nga 1 korriku.
“Në krizë të rëndë jeni ju, pinjollë të Bllokut dhe jo financat e vendit që me 1 korrik do të realizojnë rritjen më të madhe të rrogave dhe pensioneve në Shqipëri dhe Europë”, u shpreh zëdhënësja e Partisë Demokratike.
Sipas saj, Edvin Kristaq Kriza dhe çeta bllokmenëve të rinj, me urinë e etërve të tyre për pushtet, me mllefin e trashëguar klasor, pas ndëshkimit të merituar me votën e shqiptarëve përpiqen me çdo mjet, shërbehen me çdo tellall, të nxijnë arritjet e ndershme së pari të qytetarëve shqiptarë dhe të shoqërisë shqiptare si dhe të qeverisë dhe shtetit në rrugën e zhvillimit dhe integrimit të vendit.
“Edvin 2K dhe çeta e bllokmenëve të rinj njëlloj si etërit e tyre barbare, krizën e moralit prej bllokmenësh duan me çdo kusht dhe besojnë si sharlatan se do mund ta shndërrojnë në krizë të çdo qytetari shqiptarë. Kështu sot sërish ju ranë sirenave të krizës dhe zisë ekonomike. Këta shokë mjeranë nuk kuptojnë se në krizë të thellë dhe te pashpresë madje, janë ata dhe jo biznesi shqiptar që në katër muajt e parë të këtij viti regjistroi 7500 biznese të reja kundrejt 5300 që u regjistruan katër muajt e parë të vitit 2009. Në krizë të thellë dhe të pashërueshme jeni ju shokë bllokmenë dhe jo ekonomia e tregut të lirë që ju urreni. Kjo ekonomi regjistron në 5 muajt e parë të këtij viti një rritje të eksporteve ‘Made in Albania’ nga 11 miliardë lekë që ishin në 5 muajt e parë në vitin 2009 në 30 miliardë lekë, pra shënon këtë vit rritjen më të madhe të eksportit në tërë historinë e vendit dhe rritjen më të madhe në Europë”, deklaroi më tej zëdhënësja e Partisë Demokratike.
Selia blu, sqaron se në krizë të rëndë psikike dhe morale është vetë Edvin 2K dhe çeta e tij e bllokmenëve të rinj dhe jo bankat dhe krediti shqiptar që kanë një rritje prej 14 për qind të depozitave, që kanë rritur kredinë këto muaj me 8% dhe që janë më mirë se asnjë herë me parë.
1 korrik 2010, rritja më e madhe në histori e pagave dhe pensioneve
Qeveria ka zyrtarizuar tashmë një nga vendimet e saj më të guximshëm, për vijimin e rritjes së pagave dhe pensioneve, duke filluar nga 1 korriku i këtij viti. Gati një vit pas rritjes dy shifrore, ekzekutivi shqiptar sfidon një nga tendencat më depresive të vendeve të BE-së, të cilat ndodhen në kushte të egra kursimi dhe shkurtimi të pagave e pensioneve. Pavarësisht krizës që ka mbërthyer vendet e Europës, ekonomia shqiptar vazhdon të gëzojë pozita të favorshme dhe jashtë parcelës së damkosjes ekonomike.
Rritja e pagave për administratën e lartë, mësuesit dhe mjekët, do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2010.
Sipas draftit që është miratuar edhe në Fletoren Zyrtare, pagat dhe pensionet do kenë një rritje të diferencuar, e cila për këtë vit do të jetë në nivelin mbi 10 për qind. Në një kohë kur një tërësi vendesh të rajonit dhe Bashkimit Evropian, janë për ngrirje të pagave dhe shkurtime të shpenzimeve, Shqipëria dhe qeveria e saj, kanë luksin t’i ofrojnë qytetarëve shqiptarë, stimulin më të madh që është njohur ndonjëherë. Planifikimi i shpenzimeve buxhetore për vitin 2010 sipas Ministrisë së Financave është mbështetur në procedurat e buxhetimit mbi baza objektivash e produktesh të vëna në zbatim në të gjitha institucionet buxhetore për herë të parë gjatë vitit 2009.
Pensionet, rritja do vazhdojë edhe për dy vitet e ardhshme
Skema e qeverisë për rritjen e pagave dhe pensioneve, shtrihet përtej vitit 2010. Kështu Ministria e Financave ka përllogaritur rritjen e pagave dhe pensioneve edhe për dy vite të tjerë, vitin 2011 dhe 2012.
Rritja, pavarësisht se e diferencuar nga qyteti në fshat, synon të realizojë objektivin për përafrimin e skemës së pensioneve të qytetit me atë të fshatit. Gjithashtu, megjithëse kontributet e fermerëve do të vazhdojnë të rriten, njëkohësisht do të vazhdojë edhe subvencioni nga buxheti i shtetit për kontributet që paguajnë fermerët, me synimin që për ata që do të dalin në pension në vitin 2013, do të kenë kushte të njëjta me pensionistet e qytetit.