E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfirmohet Jerat

Përkundër rezultateve të dobëta, kryesia e Prishtinës ka vendosur ta konfirmojë Wolfgang Jeratin në krye të klubit bardh e kaltër. Drejtuesit e klubit kryeqytetas besojnë se kampioni vjeshtor do t’u rikthehet rezultateve pozitive, pas mobilizimit të të gjithëve në klub.

Edhe pse e kishte pozitën e rrezikuar, shkaku i rezultateve të dobëta në Superligë, megjithatë Wolfgang Jerat do të vazhdojë ta udhëheqë klubin e futbollit Prishtina.

Kryesia e klubit është mbledhur të hënën për të diskutuar rreth gjendjes aktuale të ekipit, pas së cilës ka dalë me qëndrimin që trajneri gjerman duhet të vazhdojë ta drejtojë ekipin bardh e kaltër.

“Është gjithçka normale në klub. Do të vazhdojmë tutje me Jeratin, i cili e ka besimin tonë të plotë”, deklaroi nënkryetari i Prishtinës, Afrim Muçiqi, për Express.

Sipas tij, prishtinasit janë mobilizuar dhe presin t’u kthehen rezultateve pozitive që nga ndeshja e së mërkurës ndaj Dritës, në kuadër të xhiros së 22-të të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll.

“Është një mobilizim total. Që nga ndeshja me Dritën do të shihet një Prishtinë tjetër. Edhe lojtarët janë zotuar për një angazhim të pashoq”, vazhdoi nënkryetari i klubit prishtinas.

Muçiqi ka konfirmuar se kryesia e Prishtinës bashkërisht i beson gjermanit Jerat, duke i hedhur poshtë spekulimet që thoshin se udhëheqësia e klubit kryeqytetas është ndarë në dysh sa i përket të ardhmes së trajnerit.

Nga katër ndeshje të zhvilluara në pjesën pranverore të sezonit, Prishtina i ka pësuar dy humbje, nga Liria e Drenica, ka barazuar me KEK-un dhe e ka mposhtur Trepçën ’89.

Prishtina gjendet ende në pozitën e parë, por që pamja e saj nuk është as për së afërmi nga ajo e Prishtinës së vjeshtës, e cila udhëhiqej nga Ramiz Krasniqi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›