Konfirmohet Mukja e 5 majit
Nderimi i dëshmorëve të Mukjes ka çuar në zgjerimin e gamës së konfliktit ndërmjet PS dhe LSI. Pas vendosjes së kurorave me lule me rastin e 5 majit, në varrezat “Dëshmorët e Kombit” të kryetarit të PS-së Edi Rama, nga ana tjetër ai i LSI-së Ilir Meta e ka konsideruar si një veprim tradhtie të ideuar nga vetë Rama. Kreu i LSI-së Ilir Meta akuzoi lidershipin zyrtar të PS-së se po bënte politikë me kurora tradhtie ndaj dëshmorëve të së majtës, duke paralajmëruar se përplasja e të majtëve nuk do të mbetej veç në lëmin e fjalëve. Kjo deklaratë e Metës ka sjellë edhe reagimin e ngrehinës socialiste. Sekretarja për Shanset e Barabarta në PS, Edlira Haxhiymeri, tha se “shkelja e ritualit të 5 majit, për arsye krejt personale, që lidhen me lojën e vjetër politike që ka rifilluar z.Meta, pa dashur t’ia dijë as për solemnitetin e një përvjetori përkujtimor, na vë në pozitë të vështirë”. “Në emër të opozitës shqiptare, ju kërkojmë ndjesë familjeve të dëshmorëve për shfaqjen e papërshtatshme politike, që dha dje z. Ilir Meta, në varrezat e të rënëve për liri, barazi e vllazëri. Shkelja e ritualit të 5 majit, për arsye krejt personale, që lidhen me lojën e vjetër politike që ka rifilluar z.Meta, pa dashur t’ia di as për hallet e as për aspiratat e shqiptarëve të keqqeverisuar dhe madje, as për solemnitetin e një përvjetori përkujtimor, kjo na vë në pozitë të vështirë. Ne i rishprehim keqardhjen të gjithë qytetarëve shqiptarë, për mllefin që i ka errur sytë aleatit tonë Ilir Meta”, nënvizoi ajo. Meta deklaroi me rastin e 5 majit se “PS vuri ca kurora tradhëtie”. “Kurora tradhëtie ndaj popullit shqiptar”. “Kurora tradhëtie ndaj vullnetit të popullit shqiptar për të jetuar i lirë e me dinjitet, për të qenë zot i fateve të veta. Këtu u vunë kurora tradhëtie nga ata që betonuan në 21 Prill pushtetin e Kryeministrit Sali Berisha, në kundërshtim me Republikën parlamentare”, tha Meta. Ndërsa dje LSI paralajmëroi se do të organizojë protesta, për të shprehur indinjimin e ndryshimeve kushtetuese të miratuara më 21 prill. “Në datën 10 Maj ne oren 19.00, në sheshin Skënderbej, ftojmë të gjithë qytetarët shqiptarë, nga i gjithë vendi dhe nga Tirana, në një miting madhështor, i cili do ti thojë jo njëherë e përgjithmonë Gërdec- Kushtetutës të miratuar naten e 21 Prillit, nga 115 deputetë, tradhëtarë e të papërgjegjshëm, të cilët instaluan me votën e tyre Republikën e kryeministrit te Gerdecit dhe shkelën e nëpërkëmbën dinjitetin e qytetarëve shqiptare, demokracinë në Shqipëri, për të cilën shqiptarët kanë derdhur edhe gjak për ta rivendosur atë, dhe shkelën republikën demokratike të Shqipërisë duke e kthyer atë përfundimisht në aksin e një diktature të re personale dhe jo më partiake”, tha sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili. Megjithatë, edhe pse LSI nuk reshti së bëri thirrje Ramës për të bashkëpunuar dhe biseduar me të, kryesocialisti i injoroi këto kërkesa duke shtuar se i intereson shumë të bashkëpunojë me Metën, por për të mbledhur vjedhuazi më shumë simpatizantë nga LSI. Kësisoj, 21 prilli do të mbahet mend nga Rama dhe Meta si data që ndau përfundimisht ata, pasi edhe në ditën e 5 majit, pasi kryen homazhe në varrezat “Dëshmorët e Kombit”, ruajtën distancën ndërmjet tyre dhe as shkëmbim duarsh nuk realizuan.