E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfirmohet nga policia arrestimi i Zyhdi Moravës

Konfirmohet prangosja e ish-kreut të Lidhjes së Shkrimtarëve, Zyhdi Morava, i cili u ndalua dy ditë më parë në kufirin italo-austriak me 9 kilogramë kokainë. Lajmi është konfirmuar nga policia, e cila bëri të ditur se Morava është arrestuar gjatë mbrëmjes së të enjtes, teksa transportonte nëntë kilogramë kokainë. Sipas policisë, shkrimtari 62 vjeç u arrestua në Brennero, pasi policia i gjeti të fshehur lëndën narkotike në dyert e mjetit të tij. Ndërkohë, agjencia italiane e lajmeve, ANSA, e cila i referohej burimeve policore italiane, bëri të ditur se Morava po udhëtonte nga Gjermania në Itali me rimorkio, pasi automjeti i tij pësoi defekt në territorin Gjerman. Mësohet se pikërisht në Brennero, ka qenë një patrullë e policisë italiane, e cila ndali 62-vjeçarin për t'i kontrolluar dokumentet. Kontradiktat mes thënieve të shoferit të karroatrecit dhe shkrimtarit shtuan dyshimet te policët, të cilët kryen një kontroll më të hollësishëm dhe gjetën drogën që kushton thuajse 4 milionë euro. Sipas mediave italiane, droga e Moravës ishte e destinuar për tregun Italian, ndërkohë që nuk dihet prejardhja e saj. Ndërkohë, policia italiane po heton edhe për bashkëpunëtorët e shkrimtarit në trafikun e drogës, pasi dyshohet që 62-vjeçari të jetë pjesë e një rrjeti të gjerë të trafikut të heroinës. Zyhdi Morava është autor i 15 romaneve dhe disa vëllimeve të poezisë. Në Shqipëri, gjatë regjimit të komunist të udhëhequr nga Enver Hoxha, Morava ka qenë 10 vjet i internuar. Tashmë 62-vjeçari Zydi Morava do të procedohet penalisht për veprën e “Trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›