Paqartësitë e Ministrisë së Arsimit
Rasti më flagrant është ai i Diplomave të Nivelit të Parë ose i njohur rëndom si “Masteri i Mësuesisë”. Në qershor nëpunësit e MASH në një takim me drejtues të lartë të Universitetit të Tiranës propozuan absurditetin e krijimit të një fakulteti edukimi dhe heqjen e së drejtës për të përgatitur edukatorë të brezave që do vijnë, universitetit ikonë që mban mbi supe 50 vjet punë shkencore, pra Universitetit të Tiranës, si dhe të gjithë universiteteve në rrethe. Megjithatë, pas tërheqjes nga ky revanshizëm, MASH kërkoi nga IAL (Institucione të Arsimit të Lartë) kurrikulat për Diplomën e Nivelit të Parë dhe Diplomën e Nivelit të Dytë, që (të paktën për Universitetin e Tiranës) rektorati ua përcolli, pasi ishin diskutuar më parë me pedagogë e studentë, si dhe miratuar në Këshillat e Fakulteteve e Senat Akademik, siç e përshkruan legjislacioni në fuqi, si dhe rregulloret përkatëse.
Mirëpo duket se çudirat dhe provat me nervat e studentëve dhe të pedagogëve nuk njihkan kufi. Në udhëzimin e MASH Nr. 30, të datës 29.07.2008, “Për Organizimin e Studimeve të Larta Universitare për Formimin Profesional të Mësuesve”, në pikën 7 të këtij udhëzimi thuhet:
“Përgjegjësia organizative për programet e përgatitjes të mësuesve në IAL publikë, është e një njësie kryesore të tij, Fakultetit të Edukimit në IAL, ku ato ekzistojnë ose e një strukture apo komiteti ndër-fakultetor”...etj., etj.
Ky udhëzim, që si për çudi vjen tri ditë përpara marrjes së lejes së zakonshme nga administrata publike në përgjithësi, është i shoqëruar edhe me disa shtojca, në të cilat pasqyrohen shpërndarja e kreditove në programet përkatëse të studimit, si dhe plani mësimor për të gjithë Masterat e nivelit të Parë të Mësuesisë, që nga shkencat ekzakte e deri te lëndët shoqërore, paketë kjo e hartuar nga kush e di kush në MASH por pa diskutim me kërkesë të ministrit përkatës.
Kjo është një dalje flagrante nga kompetencat që të jep ligji Nr. 7941 ose “Ligji për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë”, sepse në këtë të fundit sqarohet qartë në nenin 25, pika 2 se: “Programet e studimeve hartohen nga vetë institucionet dhe miratohen në senatet e tyre akademike”. Në këtë kuadër, jo vetëm ministria që dërgon udhëzime të tilla është jashtë linjës ligjore, por edhe Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë, e cila supozohet të ketë për detyrë të akreditojë programet mësimore duke u bazuar në ligj, e shkel këtë të fundit me të dy këmbët.
Në letrën “Kthim Praktike”, drejtuar Drejtorisë së Politikave të Arsimit të Lartë (MASH), e cila thjesht i bëhet “Për Dijeni” Rektorit të UT, njoftohet ky i fundit, megjithëse letra nuk i është adresuar universitetit, që bazuar në udhëzimin e lartpërmendur të datës 29.07.2008, APAAL kthen mbrapsht të gjitha aplikimet dhe programet për mësuesinë që janë dërguar para hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi.
Domethënë, MASH shkel ligjin që ka bërë vetë, dhe Agjencia e Akreditimit i jep “OK” dhe e akrediton këtë shkelje, duke mos marrë parasysh faktin që duhet të dalin udhëzimet nga ligji dhe jo ligje të reja nga udhëzimet, ose siç kam dëshirë t’i quaj: Arnimet Nënligjore.
Dhe me të drejtë, dy javë përpara fillimit të vitit të ri shkollor stafet pedagogjike nuk dinë se ç’përgjigje t’u japin studentëve që pyesin me të drejtë se çfarë bëhet me njëvjeçarin, sepse akoma nuk janë të sigurt se cili do të jetë novacioni antiligjor i radhës.