Hendeku midis historianëve sedërlinj dhe të vërtetë
Marrja me problemin e historisë sonë domosdo kërkon një qasje tejet serioze, jo vetëm të historianëve, por edhe të rrafsheve të tjera intelektuale në mbarë kombin tonë. Sepse, nëse historinë e konsiderojmë një pasqyrë të së kaluarës, e cila megjithatë reflekton rezultatet e veta në të tashmen dhe në të ardhmen tonë, atëherë mbushja e faqeve të saj me çfarëdo që na bie ndërmend, është po aq e gabueshme sa edhe tentativa e shtrembërimit të saj. Historia dhe librat e saj duhet të jenë rrafshe, në të cilat mbillet fara e së kaluarës, duke kultivuar sot, ndërsa në të ardhmen gjeneratat që vijnë të korrin rezultatet e saj. Jo një bimë për një farë, por një farë për shumë bimë. Në memorien time vlojnë edhe më tutje shkrimet dhe ligjëratat tona që i kemi shkruar dhe mbajtur nëpër Kosovë vite me radhë, në të cilat vazhdimisht kemi potencuar nevojën e ri-shkrimit të shumë faqeve të historisë sonë, të pastrimit të saj nga stërzmadhimet e panevojshme, të tepruara dhe aspak të dobishme për ne. Ashtu si konsiderojmë të gabueshme thirrjen e ri-shkrimit të tërësishëm të historisë, të gabueshme konsiderojmë gjithashtu qëndrimin “kryeneç” mbi atë se çdo gjë që është shkruar, është e vërtetë. Në këtë qasje tonën nuk pretendojmë se i takojmë “familjes” së historianëve. Por unë gjithashtu, me gjithë admirimin e thellë që ushqej ndaj gjithë asaj që është historike, them sot e tërë ditën se edhe ne “jo-historianët” kemi të drejtën tonë të nënvizojmë gabimet jo vetëm të historisë, por edhe të atyre që e shkruajnë atë. Dikur, në një libër të shenjtë pata lexuar se armiqtë e fesë, duke dashur që t’ia marrin fytyrën në “ditën e pazarit” profetit të asaj kohe, iu paskan drejtuar me tri pyetje. Thuhet se ato pyetje, i paskan huazuar nga kundërshtarët e mëhershëm, të cilët edhe ata paskan refuzuar profetin e tyre. Pyetja e parë kishte pas qenë rreth asaj se çka në realitet është shpirti, e dyta kush ka qenë Dhulkarnejni dhe e treta, kur paska jetuar Bilkiza, mbretëresha e dikurshme e Jemenit. Analitikët e historisë më vonë këto tri pyetje i klasifikojnë në dy kategori shkencore; pyetja e parë kishte të bënte me metafizikën, zemrën e religjionit, ndërsa dy të fundit për historinë, trungun e saj. Si rrjedhojë, analitikët e religjionit paskan ardhur në përfundim se edhe feja si edhe shumë institucione të tjera relevante të shoqërisë, historinë megjithatë e konsiderojnë shkencë shumë të rëndësishme, nëse jo më të rëndësishme sesa vetë metafizikën. Disa shkencëtarë historinë e konsiderojnë jetëpërshkrim të njerëzve dhe popujve të mëdhenj. Sipas tyre pra, vetëm të mëdhenjtë zënë vend nëpër faqet e historisë. Edhe pse ky koncept në shikim të parë sado që duket është i vërtetë dhe i pranuar, në realitet ai është po aq edhe i rrezikshëm, sidomos për të “vegjlit”; qofshin ata njerëz apo popuj. I rrezikshëm është pikërisht për ata njerëz dhe për ata popuj, të cilët megjithatë pas vetes nuk lanë ndonjë gjë, për shkak të së cilës do hyjnë në histori. Dhe, “lufta” mes analitikëve të historisë dhe historianëve fillon pikërisht këtu. Historianët, meqë ndjejnë se janë të thirrur të mbushin me diçka faqet e librave, ngaqë për këtë arsye edhe quhen historianë, ata, në mungesë të “të mëdhenjve”, do të detyrohen që vetë të krijojnë emra dhe ngjarje dhe me ta të mbushin faqet e historisë. Historia nuk krijohet, por as shkruhet duke ndenjur këmbëkryq nëpër oda. Ajo nuk shkruhet as duke treguar trimërinë përmes toneve që lëshojnë telat e çiftelive dhe sharkive të rapsodëve të popullit. Historia gjithashtu nuk mbrohet me sharje dhe shpifje, me pretekstin se janë duke e mbrojtur atë. Fletët e historisë janë më të madhërishme, atëherë kur ajo shfaqet si ushtari që bart flamurin mbi supet e tij. Nëse qëndron në vend, flamuri mbyllet, nuk duket i gjallë, por, nëse ushtari ecën përpara, ai hapet, duket më mirë dhe ashtu gjallëron zemrat e atyre që janë duke e parë. Historia më së miri shkruhet dhe si e tillë do të jetë pishtar i së ardhmes, nëse historiani, posi bleta punëtore shëtit bibliotekat, jo vetëm të vendit, por edhe të botës, për të parë dhe për të marrë nektarin e së kaluarës që të jetë mjalti i së tashmes dhe ilaç për ardhmëri. Historianët e Kosovës kanë ende shumë punë për të bërë. Ata duhet t’i rreken punës, t’i përvjelin krahët dhe duke hulumtuar dokumentet, të qesin në pah gjithë atë që është shtrydhur nëpër kohë. Duke dashur t’i qasem problemit të historisë sonë mjaft të cunguar, i nxitur nga “shteti i dështuar”, por edhe nga shumë “dështime tjera”, anipse me plot respekt për të gjithë ata që merren me historinë, them se edhe nëse nuk e kam lexuar librin e tanishëm të “historisë së klasës së pestë”, për të cilin flet Matoshi, unë kam lexuar shumë libra të tjerë të historisë, të shkruara edhe atëherë kur unë isha nxënës, edhe me vonë, kur historinë e lexoja me ëndje dhe nga kërshëria për ta njohur vetveten dhe të tjerët, por edhe tash, kur dua të di dhe të analizoj shkaqet, të cilat ndikojnë në rënien dhe ngritjen e popujve përgjatë historisë. Historia jonë nuk duhet të jetë koleksion i të thënave dhe të bërave, por para së gjithash duhet të jetë leksion për çka duhet të themi dhe çka duhet të bëjmë edhe në të ardhmen. Nëse jo direkt, nëse jo në formë të këshillave, atëherë, duke shpjeguar dhe analizuar të kaluarën, lexuesve t’u jepet mundësia, t’u përgatitet aftësia që e ardhmja e tyre të jetë më e ndritshme se e kaluara. Më kujtohet shumë mirë atëherë, kur librin e historisë e lexonim, ngaqë e kishim edhe lëndë mësimore, kënaqeshim kur ne, autori i librit e fill pas tij mësuesi, na rrëfenin ndoshta më mirë se në romanet e Zagorjes apo Kapiten Mikut, se ilirët ishin bosët e Ballkanit, ndërsa ne jemi stërnipërit e tyre, kemi qenë më të fortit, më të mirët e ndoshta edhe më të mençurit. Na shkruhej se si ne pastaj kemi qenë të pathyeshëm kundër osmanlinjve. Na thuhej edhe ajo se ne kemi qenë ata që ndalëm turrin e ushtrisë serbe për dalje në Korfuz, pastaj ne, me “strategjinë dhe gjenialitetet” tona ushtarake u kemi thyer brinjët italianëve dhe gjermanëve, bilé-bilé ashtu na thoshin se ne, Gjermanisë naziste i kemi shkaktuar dëme dhe humbje me tepër sesa vetë Bashkimi Sovjetik në vitin 1943. Duartrokitjet nëpër klasa të shkollave shumë herë i ngjanin duartrokitjet nëpër kinematë e asaj kohe. Sa shumë na pëlqente edhe historia e Boro-Ramizit, bilé një herë, pikërisht për Boro-Ramizin pata pyetur edhe gjyshen time, se si është e mundur që një shqiptar e një shkja, megjithatë të jenë vëllezër?! Ndërsa ajo, me mençurinë e një plake shqiptare të urtë më patë thënë se ajo nuk mund të dinte historinë më mirë nga arsimtari i historisë! Nuk janë të padijshëm ata që thonë se ne rrallë herë kemi shkruar historinë tonë. Nuk janë të padijshëm gjithashtu as ata që thonë se, edhe nëse kemi shkruar diçka për historinë tonë, atë shumë herë e kemi për qejfin e të tjerëve. Sot, është koha t’i kthehemi vetvetes, edhe nëse ende jemi “të vegjël”, edhe nëse ende përveçse qajmë derte, flasim për derte, kemi ende derte, ne edhe më tutje jemi dert për të tjerët. Historia, përveç të tjerave, ka edhe dimensionin e saj psikologjik. Ajo në një formë apo tjetrën domosdo ndikon personalitetin e njeriut. Ajo shumë herë ka aftësinë të orientojë masat në drejtime të caktuara. Nga ky kontest, historianët mund t’i arsyetojmë për “xhirimin e filmave” nëpër faqet e historisë. Nëse këta “filma” kanë karakterin e sforcimit të patriotizmit te masat, “gabimi” i tillë disi mund të tejkalohet. Por, në asnjë rast tjetër nuk mund të pranohen qasjet sipas tekave të kujtdo qofshin ato. Historia para së gjithash është shkencë, si rrjedhojë historiani duhet të jetë shkencëtar. E shkenca ka ligjet dhe kriteret e veta e posaçërisht ka etikën e vet. Historianët tanë nuk kanë të drejtë që historinë ta konsiderojnë pronë vetëm të tyre. Ata me krenari duhet të pranojnë se janë shërbëtorë të saj dhe të popullit më tepër se kushdo qoftë tjetër. Ata, duhet t’i shërbejnë kësaj shkence, të punojnë për të, ndërsa qëllim final të kenë shërbimin ndaj masave. Historianët, kur flasin dhe kur mbrojnë historinë, në asnjë moment nuk duhet ndjehen të paprekshëm, të pagabuar, ndërsa kritikat ndaj tyre t’i marrin personale. Ata pikësëpari duhet të mësojnë nga vetë historia, sepse ajo është e gjerë, ka zemër të madhe dhe përfshin “çka ka në qiej dhe në tokë”.
Autori është Doktor në Filozofi Analitike dhe Master në Logjikë, jeton dhe punon në Dubai