Senati i hap rrugën anëtarësimit të shpejtë në NATO
Senati amerikan miratoi në mënyrë unanime Protokollin për Anëtarësimin e Shqipërisë me të drejta të plota në NATO. Votimi është quajtur historik në një njoftim të ambasadës amerikane. Në njoftim theksohet se ky akt është një mirënjohje ndaj qeverisë, opozitës dhe mbi të gjitha ndaj popullit shqiptar. “Dita e djeshme shënoi një çast historik në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri: Senati i SHBA votoi miratimin për Protokollet e Hyrjes në NATO të Shqipërisë dhe Kroacisë të Traktatit të Uashingtonit. Si një prej vendeve të para që votuan për këtë dokument të rëndësishëm, Shtetet e Bashkuara presin me kënaqësi të mirëpresin Shqipërinë si një partnere të plotë në NATO.
Ky akt i Senatit ka domethënie të jashtëzakonshme. Ai përfaqëson jo vetëm një votë besimi në një prej partnerëve më të palëkundur të Amerikës, por edhe një njohje të sinqertë të vendosmërisë së qeverisë, opozitës dhe, mbi të gjitha, popullit shqiptar për të arritur këtë objektiv të rëndësishëm”, - thuhet në njoftim. Gjithashtu, deklarohet se ka ende shumë reforma për t’u kryer. Ambasada amerikane deklaron se përkushtimi i SHBA ndaj Shqipërisë do të vazhdojë. “Kombi shqiptar ndërmori një program madhor reformash për ta përmbushur këtë synim. Megjithatë, shumë reforma mbeten për t’u përfunduar dhe filluar. Ne, populli amerikan, presim me kënaqësi të punojmë me shqiptarët për të përfunduar, siç e ka
thënë presidenti Lincoln, “një detyrë të filluar kaq fisnikërisht.”
Përkushtimi amerikan ndaj Shqipërisë, demonstruar aq qartë në votën e djeshme, mbetet i fortë dhe shikon nga e ardhmja”, - thuhet në njoftim.
Ratifikimi i këtij protokolli vjen në një periudhë, kur marrëdhëniet mes Perëndimit dhe Rusisë janë acaruar pas sulmit të kësaj të fundit ndaj Gjeorgjisë, së cilës i është premtuar anëtarësimi në NATO. Ditët e fundit diplomacia amerikane ka rritur sinjalet dhe për një anëtarësim të mundshëm të Ukrainës në NATO, ndërsa Mali i Zi dhe Bosnja janë përfshirë në projektin Adriatik 3, çka do u hapë atyre rrugën e anëtarësimit të shpejtë në NATO.
Kritika për zgjedhjet, korrupsionin dhe Gërdecin
Disa ditë më parë një seancë e Komisionit të Senatit amerikan për Marrëdhënie me Jashtë për procesin e nënshkrimit të protokolleve të NATO-s për Shqipërinë dhe Kroacinë vuri në pah disa nga problemet kryesore, me të cilat përballet Shqipëria.
Zyrtari i Lartë i Departamentit të Shtetit, Daniel Fried, në dëshminë e tij para Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, shprehu mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.
Por ndihmëssekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë tërhoqi vëmendjen për problemet që ende mbeten të pazgjidhura në Shqipëri. “Shqipëria ka ende punë për të bërë në fushat e reformës në drejtësi, reformës zgjedhore dhe luftës kundër korrupsionit, por ka ecur përpara në të gjitha këto fusha dhe në drejtim të përparimit demokratik në përgjithësi”.
Senatori demokrat, Kris Dodd, që drejtonte seancën, e pranoi se vendi ka shënuar përparim, por shtoi se detyra e anëtarëve të Kongresit është që të bëjnë pyetje të vështira para se të merret një angazhim për mbrojtje reciproke. “A ka pasur zgjedhje demokratike? Cili është niveli i respektit të të drejtave të individëve? A është vendosur me sukses shteti ligjor? A është shprehur angazhimi për reforma ekonomike dhe ekonominë e tregut”
Një nga pyetjet e tij për Shqipërinë kishte të bënte me shpërthimin e Gërdecit dhe problemet që dolën në pah prej tij. Senatori Dodd theksoi se mbarëvajtja e hetimit dhe mundësia që do t’i krijohet Prokurorisë së Përgjithshme për një hetim të hollësishëm dhe transparent, është një provë për gjendjen e sistemit të drejtësisë dhe prokurorisë. Ai shtroi pyetjen se cili është statusi i hetimeve dhe çfarë tregon për aftësinë e qeverisë shqiptare për anëtarësim në NATO. Zoti Fried u përgjigj: “I kemi kërkuar qeverisë shqiptare, që ta lejojë hetimin të zhvillohet, çfarëdo që të dalë prej tij. Shanset janë që përfundimet e tij ta vënë në pozitë të vështirë qeverinë, sepse si me çdo problem ushtarak shtrohet problemi i përgjegjësisë. Çdo vend ka probleme dhe pyetja që shtrohet nuk është nëse ka probleme, por si i zgjidhin ato”.
Përfaqësuesi i Pentagonit, zv/ndihmëssekretari i Mbrojtjes, Daniel Fata, tha se hetimi po ndiqet me vëmendje. “Ambasada jonë dhe qeveria vazhdojnë ta nxisin Shqipërinë që ky proces të jetë sa më transparent të jetë e mundur, sepse jo vetëm Shtetet e Bashkuara, por edhe 25 vendet e tjera të NATO-s do ta ndjekin me vëmendje situatën, për të parë nëse do të plotësohen standardet e transparencës dhe shtetit ligjor”.
Anëtari i këtij komisioni dhe bashkëkryetar i Komisionit të Helsinkit, senatori demokrat Benjamin Cardin, shprehu mbështetjen e tij për futjen e Shqipërisë në NATO, por shprehu shqetësimin për nivelin e korrupsionit, përfshirë Ministrinë e Mbrojtjes.
“Ekziston shqetësimi, nëse Shqipëria do t’i plotësojë standardet e OSBE për sa iu takon zgjedhjeve të vitit të ardhshëm”.
Berisha: Është një ngjarje e jashtëzakonshme
Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, përshëndeti dje vendimin e Senatit amerikan për miratimin e Protokollit të Anëtarësimit të vendit tonë në NATO. Ndërkohë, deri në orët e vona, nga opozita nuk pati ndonjë qëndrim zyrtar në lidhje me këtë ngjarje të rëndësishme. Berisha tha në një konferencë të posaçme për shtyp se ishte një rekomandim i vetë presidentit Bush që solli dhe këtë miratim. Kryeministri u kujdes që të falënderonte dhe ligjvënësit e rëndësishëm demokratë që patën një rëndësi të madhe në kalimin me unanimitet të protokollit. Berisha falënderoi dhe ambasadën amerikane në Shqipëri për këtë arritje. “Ky votim u bë me rekomandimin personal të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Xhorxh W. Bush, dhe vetëm dy ditë pasi Komisioni i Jashtëm i Senatit të Shteteve të Bashkuara votoi në unanimitet të plotë Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Votimi i djeshëm në Senatin e SHBA është një ngjarje e jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe për kombin tonë, kjo sepse anëtarësimi në NATO është i një rëndësie të jashtëzakonshme dhe se presidenti Bush, qeveria e tij, senati i Shteteve të Bashkuara, me mbështetjen e tyre të fuqishme, bënë që Protokolli i Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë të votohet dhe ratifikohet nga vendi i tyre, lider i NATO-s, me një shpejtësi rekord, në një hark kohor rekord, po të kemi parasysh që firma në këtë protokoll, në Bruksel, është vendosur vetëm në datën 9 korrik, po të kemi parasysh se Shtetet e Bashkuara janë gjithashtu në kulmin e garës elektorale, jo vetëm presidenciale, por edhe për Kongresin amerikan”, - tha Berisha.
“Në këtë rast, në emër të qeverisë shqiptare, dua t’i shpreh mirënjohjen më të thellë presidentit Xhorxh W. Bush, mikut më të madh të Shqipërisë dhe shqiptarëve, qeverisë së tij, Departamentit të Shtetit, Pentagonit, Komisionit të Jashtëm të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, miqve të shquar të kombit shqiptar në këtë komision, kryetarit të tij Joseph Biden dhe Senatorit Richard Lugar, si dhe të gjithë anëtarëve të tjerë të Komisionit të Jashtëm të Senatit të SHBA, të gjithë senatit, senatorëve të SHBA, ambasadorit dhe ambasadës së SHBA në Tiranë, ambasadorit dhe ambasadës së SHBA në Bruksel, për mbështetjen e madhe, përmes së cilës po shndërrohet në realitet ëndrra euroatlantike e kombit dhe vendit tonë.”