E Diel, 1 Nëntor 2026

Konfiskim të mallra të paregjistruarve në QKR

16/03/2011  Propozohen masa drastike për bizneset informale dhe punonjësit e padeklaruar

Dhjetëfishohen gjobat, qeveria: Ishte kërkesë e KE për statusin

Masa drastike ka propozuar qeveria në lidhje me informalitetin në vend, duke bërë një ndryshim rrënjësor të ligjit “Për procedurat tatimore”. Megjithëse në prag fushate, propozohet që çdo biznesi të vogël apo të madh, që nuk është regjistruar në QKR, ti konfiskohet biznesi. Pra, çdo njeriu që duhet tashmë të nisë një biznes, i duhet të mendohet mirë, sepse fare papritur mund tia behin kontrollorët tatimorë, dhe ti konfiskojnë pajisjet apo mallrat të cilat sapo i ka blerë. Këtë gjë parashikon pikërisht neni 41 i ligjit, i cili me ndryshimet e reja pa një pa dy u jep të drejtë tatimeve që të zbrazin biznesin nga pajisjet apo mallrat dhe ti dërgojnë ato në magazinën e mallrave të konfiskuara. Në ligjin aktual, biznesit i jepet një kohë prej 15 ditësh, por jo në ndryshimet e reja, të cilat ia lënë tërësisht në dorë këtë procedurë inspektorit të tatimeve. “Kur administrata tatimore identifikon persona, të cilët ushtrojnë veprimtari ekonomiko-tregtare pa u regjistruar në QKR, atyre u mbyllet veprimtaria dhe u konfiskohen të gjitha materialet, sipas nenit 121 të këtij ligji”. Në fakt, neni 121 i ligjit flet për konfiskimin e mallrave pa faturë, dhe jo për mallra të rregullta, që janë në pronësi të individit që nuk është regjistruar në QKR.

Punonjësit

Ndërkohë, deri në dhjetëfish janë ngritur gjobat dhe për punonjësit e padeklaruar. Kështu për shembull, në rast se është një subjekt i futur në skemë si subjekt i TVSH-së (së fundmi janë futur dhe profesionet e lira), gjoba në këtë rast shkon deri në 1 milion lekë, ndërsa tatimpaguesit e tjerë me gjoba 50 mijë lekëshe. Por nuk mjafton me kaq. Në rast se subjekti identifikohet se nuk lëshon kuponin, atëherë sërish gjobat janë dhjetëfishuar. Në rast se më parë bëhej fjalë për gjoba deri në 20 mijë lekë, këtë herë gjoba fillestare është 200 mijë lekë të reja, dhe sipas rastit mund të shkojë deri në 500 mijë.

Justifikimi

Nga ana e tyre hartuesit e ligjit i kanë justifikuar këto masa drastike si një kërkesë të KE-së në një nga rekomandimet e saj, që bën fjalë për luftën kundër informalitetit, por duke e parë ligjin në tërësi, duket sikur është paksa i nxituar për momentet që po kalon vendi. Një ligj i tillë, pavarësisht synimit të mirë të luftës kundër informalitetit, mund të shndërrohet në një mjet abuzimi dhe për vetë kontrollorët tatimorë. Sanksione dhe gjoba në masa të tilla në një kohë krize vetëm në interes të biznesit nuk shkojnë. Kjo për arsye se dhe vetë sistemi ynë fiskal është tepër i shtrënguar kur bie fjala për të vjelë taksat shtetërore. Në shumë vende aplikohet një afat kohor përpara se biznesi të fillojë të paguajë taksa, ndërsa në ligjet shqiptare nuk ndodh ky tolerim.

Neni 41

Kur administrata tatimore identifikon persona, të cilët ushtrojnë veprimtari ekonomiko-tregtare pa u regjistruar në QKR, atyre u mbyllet veprimtaria dhe u konfiskohen të gjitha materialet, sipas nenit 121 të këtij ligji”. Në fakt, neni 121 i ligjit flet për konfiskimin e mallrave pa fatur, dhe jo për mallra të rregullta që janë në pronësi të individit që nuk është regjistruar në QKR. Në rast se një person ushtron veprimtari i pajisur me leje/licencë/autorizim profesional, por nuk e ka regjistruar në QKR, përveç konfiskimit të materialeve, administrata tatimore u propozon organeve kompetente pezullimin e lejes për një periudhë gjashtëmujore.

Neni 119

Nëse nga verifikimi dhe kontrolli rezulton se tatimpaguesi nuk ka deklaruar në organin tatimor çdo të punësuar të paktën një ditë kalendarike përpara fillimit të punës, përveç detyrimit për pagimin e shumës së detyrimeve të prapambetura, të llogaritura nga data e konstatimit, dënohet me gjobë për çdo punonjës të padeklaruar: a) tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të TVSH 100 mijë lekë b) tatimpaguesit e tjerë, gjobë prej 50 mijë lekë. Tatimpaguesi duhet të deklarojë në organin tatimor të larguarit nga puna brenda 10 ditëve nga data e largimit. Për shkeljen e këtij afati detyrimet vlerësohen deri në datën e deklarimit të tyre në organet kompetente.

200 mijë lekë

është masa e gjobës për të gjitha subjektet me TVSH, të cilat nuk lëshojnë kuponin tatimor të mallrave apo shërbimeve që kanë kryer. Ndërsa në masën 100 mijë lekë subjektet e tjera që janë jashtë TVSH. Në rast se kjo përsëritet, atëherë gjoba mund të shkojë deri në 500 mijë lekë dhe pezullim të aktivitetit

1 milion lekë

është gjoba për të gjitha subjektet e paautorizuara nga ministri i Financave të tregtojnë kasa fiskale, si dhe sekuestrim të të gjithë mallit. Kështu thuhet në nenin 123 të ligjit, i cili si personin e vetëm që mund të japë autorizim për këtë lloj biznesi njeh vetëm institucionin e autoritetit më të lartë, ministrin e Financave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›