E Diel, 1 Nëntor 2026

3 shqiptarë mes mafiozëve që kërcënonin futbollistët

16/03/2011  Historia e kërcënimit të argjentinasit Soza dhe roli i Petrit Vathit në trafikun e kokainës

SANREMO- Skandali i fundit i kërcënimeve fizike për lojtarët e Sanremos në Itali, ka përfshirë edhe tre shqiptarë, të cilët përfunduan në pranga mes të tjerëve. Vala e arrestimeve u zgjerua edhe dje, ku emrat më tingëllues me siguri ishin ato të Rikardo dhe Marko del Grata, figura të njohura në fushën e sportit perëndimor. Por mes listës së gjatë të arrestimeve përmenden edhe emrat e shqiptarëve Fatmir Bengasi (i njohur ndryshe si fortunato “fatlumi”), Petrit Vathi e djali i tij, Jogi, të cilët ishin pjesë e kësaj organizate kriminale dhe u bindeshin urdhrave të shefave për t’u krijuar stres futbollistëve që nuk hynin në rrethin e fiksimit të rezultateve. Mediat italiane thonë se shqiptarët merreshin kryesisht me sektorin e drogës, pra siguronin ngarkesa të shumta, por nga përgjimet e telefonave janë fiksuar disa momente kur “fatlumi” ka kërcënuar një prej këtyre futbollistëve, duke u prezantuar si i dërguar i familjes Del Grata. Në një intervistë për mediat italiane prokurori Robert Kavalone thotë se “Kemi të bëjmë me një organizatë të lidhur me Ndragetën, e cila funksiononte si një e tërë. Banda merrej me kërcënimet e futbollistëve për të fiksuar rezultatet, me grabitje dhe me trafik droge. Rolet herë ndaheshin e herë bashkoheshin, ç’ka do të thotë se një anëtar që trafikonte drogë, mund të ketë kërcënuar edhe futbollistë dhe e kundërta. Megjithatë, hetimet do t’i ndajnë faktet dhe ne tani po punojmë rreth metodës që përdornin për kërcënimet e futbollistëve dhe trafikut të kokainës. Në fillim futbollistët kishin frikë të flisnin, thuajse nuk kishin besim tek drejtësia”.

Kërcënimet e futbollistëve dhe roli i shqiptarëve

Karabinierët dhe policia nën koordinimin e Antonio Politit dhe prokurorit Robert Kavalone filluan valën e arrestimeve pas thashethemeve që qarkullonin për muaj të tërë në qytet. Kompania e familjes Grata që quhej “Recup-Fer” është e njohur në asgjësimin e mbeturinave të rrezikshme dhe sipërmarrësit vlerësoheshin nga shumëkush. Por skandali i kërcënimeve për lojtarët ka shpërthyer disa muaj më parë, teksa kapoja Marko del Grata, i kishte etiketuar lajmet si “shaka gazetareske”. Një javë më vonë erdhi pohimi, ku në një takim në media, Del Grata kishte thënë se futbollisti argjentinas Roberto Karlos Soza i pati rrëfyer se kishte marrë kërcënime. Pavarësisht tendencës për ta minimizuar ngjarjen, hetimi filloi. Gjithçka kishte rrjedhur nga 16 dhjetori i vitit të kaluar, kur Xhovani Isolani, 21 vjeç u vra në një dyqan në Sanremo. Pak më vonë u arrestua Nikola Traca, 24 vjeç, mik i viktimës, pasi të dy ishin me origjinë nga Praia Mare në Kalabri. Hetimet filluan për të studiuar motivin e vrasjes. Hetuesit mësojnë se të dy kishin ardhur për të kërcënuar disa lojtarë të Sanremos. I pari ishte Roberto Karlos Soza, nga Argjentina, i cili menjëherë pasi u kthye në Itali u mor në pyetje nga prokurorët dhe oficerët. Aty ai njohu Nikola Tracën, i cili ishte pikërisht personi që i kishte vënë pistoletën në gju, duke i thënë: “Nëse nuk ikën nga këtu do të shkatërrojmë”. Emri i David Vetres doli në dritë nga portieri Petruceli, i cili deklaroi se “Niki” (personi që u dërgua për vrasjen e Xhovanit) kishte marrë bekimin e familjes Del Grata. Së bashku me “Nikin” ditën kur u kërcënua futbollisti Soza ishte edhe i vëllai, Roko Traca dhe Serxho Briatore, gjithmonë në emër të Davidit Ventres. Pas vrasjes së 21-vjeçarit Xhovani Isolani dhe plasjes së skandalit të kërcënimeve të futbollistëve, Roko që kishte parë të gjithë skenën gjeti rastin për të kërcënuar bosin e tij Marko del Gratën, duke i kërkuar 10 mijë euro, pasi i vëllai ishte në burg për fajin e tij. Këtu nisi edhe hetimi paralel për trafikun të drogës. Në fakt ishin konfiskuar rreth 3 kg kokainë në disa hapa të mëparshme. Por dje në mëngjes u kapën edhe 6 kg të tjera, gjatë kërkimeve në shtëpi. Roli i familjes Del Grata do të dilte nga regjistrimet, ndërsa Ventre kishte hartuar disa lehtësime për të birin që luante futboll. Nuk ka të reja për armën e vrasjes së 21-vjeçarit Isolani. Deri më tani janë të dokumentuara kërcënimet me vdekje dhe përpjekjet për grabitje kundër lojtarëve Soza dhe Pereli, si dhe portierit Petruceli, i cili është ende në fuqi në skuadrën e Sanremos. Kështu, në total u arrestuan për grabitje, kërcënime të futbollistëve dhe trafik droge italianët Niki e Roko Traca (i cili tashmë ishte në burg), Marko dhe Rikardo del Grata, David Ventre dhe Serxho Briatore, Mauricio Ventre dhe Marko Alberuci, si dhe shqiptarët Fatmir Bengasi (i njohur si fatlumi) Petrit e djali i tij Jogi Vathi dhe marokenët Yammi Dris, Sonia Vella dhe Mustafa el Jouay.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›