E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konflikiti I 2001-it hap debate ne Shkup

Autori i Lajmit: red.
Në fillim të këtij viti Gjykata e Hagës ia ktheu Shkupit si të mbyllura, për shkak të mungesës së argumenteve, katër nga pesë çështjet që kanë të bëjnë me konfliktin e vitit 2001.
Autoritetet gjyqësore maqedonase vlerësojnë se këto çështje duhet të shqyrtohen nga gjykatat e Shkupit, ndërsa partitë politike shqiptare janë shprehur kundër.
Të martën në Prokurorinë Publike të Maqedonisë është dorëzuar edhe çështja e tretë e kthyer nga Gjykata ndërkombëtare e Hagës - rasti penda e Likovës.
Më herët, në procedurë u futën edhe dy raste të tjera, ai i personave të zhdukur dhe keqtrajtimi i punëtorëve të ndërmarrjes “Mavrovo”, ndërsa së shpejti, sipas autoriteteve gjyqësore pritet që në procedurë të hyjë edhe çështja “Udhëheqja e ish-Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare”.
Gjykata e Hagës këto lëndë i ka kthyer si të mbyllura, por autoritetet gjyqësore në Maqedoni mendojnë se me to duhet të merren gjykatat maqedonase.
Partitë politike shqiptare gjithnjë janë deklaruar kundër hapjes së këtyre çështjeve, duke iu referuar edhe Ligjit për Amnisti të miratuar nga parlamenti maqedonas menjëherë pas ndërprerjes së konfliktit të vitit 2001.
Për Rafiz Halitin nga partia Bashkimi Demokratik për Integrim, hapja e procedurës gjyqësore për këto lëndë mund të krijojë tensione të reja në Maqedoni:
"Për ne është e papranueshme që pas amnistimit të vitit 2002 dikush të përgjigjet para gjykatave të Maqedonisë, kur dihet se gjykatat janë nën ndikimin politik dhe atëherë parashtrohet pyetja a ka amnisti apo jo. Kështu që për ne do të jetë e papranueshme që të hapen katër rastet, pavarësisht për cilin rast bëhet fjalë", thotë Rafiz Haliti.
Po ashtu, edhe eksperti për çështje juridike, Naser Zyberi shprehet kundër hapjes së këtyre rasteve pasi, thotë ai, kjo çështje është zgjidhur me Ligjin për Amnisti:
"Të gjitha veprat penale që janë të ndërlidhura me konfliktin e vitit 2001, barten në kompetencë të Gjykatës së Hagës, kështu që juridiksioni vendor është i përjashtuar nga çdo kompetencë për të shqyrtuar këto vepra. Prandaj, them që çështja është e pastër. Gjykatat e RM-së nuk janë kompetente, Prokuroria e Maqedonisë vetëm duhet t i pranojë lëndët e dërguara prej Tribunalit të Hagës dhe t i konstatojë ato si të mbyllura,"- thotë Naser Zyberi.
Rihapja e procedurës gjyqësore është shprehur edhe në fushatën zgjedhore të partive politike shqiptare - PDSH dhe BDI. Këto dy forca që mëtojnë të jenë pjesë e qeverisë, thonë se edhe gjatë negociatave aktuale që zhvillohen me mandatarin Nikolla Gruevski, një nga kërkesat do të jetë edhe çështja e mbylljes dhe jo hapja e lëndëve të Gjykatës së Hagës.
Në Gjykatën e Hagës për Krime të Luftës, është hapur procedurë gjyqësore vetëm për rastin e fshatit Luboten, ku dyshohet se fajtorë janë ish-ministri i Brendshëm, Lube Boshkovski dhe ish- zyrtari i kësaj ministrie, Johan Tarçullovski, për të cilët procedura gjyqësore ka përfunduar, vetëm pritet vendimi i gjykatës së Hagës.
Ky lajm është publikuar: 26/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›