E Shtunë, 31 Tetor 2026

UNMIK në Kosovë, edhe pas 4 muajve

Autori i Lajmit: red.
Brenda 120 ditëve të tranzicionit, UNMIK-u mund të pësojë ndryshime radikale në strukturën e vet, por askush nuk mund ta thotë që tani, se UNMIK do të largohet nga Kosova pas tranzicionit, tha dje në Prishtinë, shefi i administratës së Kombeve të Bashkuara, Lamberto Zannier.
Ai tha se procesi i rikonfigurimit të UNMIK-ut do të varet shumë nga një vlerësim që do t i bëjë të gjitha fushave të përgjegjësisë që ka tani,e cila do t I transmetohet Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon, si autoriteti kryesor që vendos në fund për këtë process.
Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, parashikon se UNMIK mund të mbetet në Kosovë dhe me një rol të caktuar, edhe pas 120 ditëve të rikonfigurimit dhe tranzicionit.
“Përshtypja ime është se ky do të jetë një operacion radikal dhe do ta ndryshojë strukturën e UNMIK-ut dhe do të përshtatet me realitetin në terren”, tha Lamberto Zannier.
Ndërkaq, duke u shprehur për kërkesat e lidershipit të Kosovës që pas 120 ditëve UNMIK-u të largohet, Zannier tha se kjo i përket Këshillit të Sigurimit që të vendosë.
Zannier tha se nuk do të preferonte që UNMIK-u të mbetej me një rol të theksuar nëpër zonat e banuara me serbë, kurse EULEX-i në ato të banuara me shqiptarë. Sipas tij, ndarja e përgjegjësive ndërmjet UNMIK-ut dhe EULEX-it ka të bëjë me fusha të caktuara dhe jo me territore.
Duke ia lëshuar përgjegjësitë në terren EULEX-it, megjithatë një prej detyrave të para që Zannier parasheh të ketë në Kosovë, është rinisja e dialogut Prishtinë - Beograd. Ai tha se nuk e sheh veten si negociator klasik dhe në rolin e propozuesit të ideve e nismave, por më shumë në rolin e lehtësuesit të këtyre bisedimeve.
“Po pres zhvillimet në Beograd dhe nëse do të formohet qeveria e re, do të pres derisa ajo të nisë punën dhe do të kërkoj më pas menjëherë që të takohem me të”, tha shefi i UNMIK-ut.
Zannier tha se para çdo takimi, ai fillimisht do të bisedojë me autoritetet kosovare dhe më pas me ato serbe. Bazuar në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon, fushat si policia, drejtësia, doganat, menaxhimi i vijës administrative, monumentet fetare dhe ajo e transportit dhe telekomunikacionit, do të dialogohen sërish ndërmjet Prishtinës e Beogradit, por kësaj radhe përmes shefit të UNMIK-ut. Me këtë fakt, janë pajtuar edhe autoritetet në Prishtinë.
Lamberto Zannier ka premtuar se gjatë këtij dialogimi, ai nuk do t i hapë për bisedime çështjet e ndjeshme mes dy vendeve.

Ky lajm është publikuar: 26/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›