E Diel, 1 Nëntor 2026

Konflikt për obligacionet evropiane

Konflikti ekziston prej aq kohësh sa ekziston kriza e borxheve në zonën e euros. A duhet Bashkimi Monetar që të fusë obligacione të përbashkëta meqenëse ka një monedhë të përbashkët? Përgjegjësinë për këto borxhe nuk do i mbajnë shtete të veçanta, anëtarë të klubit të euros, por i gjithë Bashkimi Monetar.

Ky propozim nuk është i ri, siç duket aktualisht. Një nga përkrahësit më të fortë të kësaj ideje ka qenë ministri italian i Financave, Giulio Tremonti. Kurse ministri gjerman i Financave refuzoi në mënyrë kategorike. Në atë kohë ministri quhej Peer Steinbrück dhe jo Wolfgang Schäuble.

Kjo ka ndodhur në vitin 2009, kur euro festonte dhjetëvjetorin e suksesit të madh dhe obligacionet shtetërore që kërkonte Tremonti nuk kishin asnjë shans.

Me kalimin e kohës ideja është shfaqur herë pas here. Ajo ka shkaktuar edhe tani diskutime. Krah Italisë, edhe Franca kërkon që të ulë kostot e rifinancimit të huave të tilla, ndërkohë që përqindjet e interesit për shembull për Gjermaninë do të rriteshin nëse bashkoheshin kreditë. Presidenti i ri francez François Hollande mori ditën e martë (22.05.2012) përkrahjen e OECD-së, Organizatës për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin, e cila kërkon një pakt zhvillimi.

Ideja nuk është e mirë

Si masë afatshkurtër për nxitjen e zhvillimit ekonomik në gjithë BE-në, OECD propozon shprehimisht dhënien e borxheve shtetërore të siguruara bashkarisht, për të ndihmuar rikapitalizimin e sektorit bankar dhe për të krijuar një ofertë më të lartë kredish. Në vijim të zhvillimit të mëtejshëm të zonës së euros obligacionet evropiane mund të ndihmojnë në rritjen e besimit tek sektori privat, thuhet në vëzhgimin e OCDE-së për koniukturën. Disiplina e fortë buxhetore dhe konsolidimi i suksesshëm janë të domosdoshme për masa të tilla shtesë.

Kjo nuk është ide e mirë, thonë kryesisht ato vende të klubit të euros, të cilat mund të hedhin në tregjet e kapitaleve para të freskëta me përqindje të ulët interesi. Dhe këtu nuk bën pjesë vetëm Gjermania. "Unë nuk kam mirëkuptim nëse Austria do të duhet të paguajë dyfishin e përqindjeve të interesit, në krahasim me deri tani," thotë për shembull ministrja austriake e Financave, Maria Fekter. "Sa kohë që disiplina buxhetore nuk respektohet krejtësisht, sa kohë që nuk arrihet stabilizimi, nuk mund të ketë ndikime direkte mbi mënyrën si shtetet drejtojnë ekonominë dhe cilat masa fiskale vendosin. Për kaq kohë unë nuk do të hiqja dorë nga kreditë austriake."

Eksperti për çështjet e buxhetit të partisë së demokratëve liberale, Otto Fricke, i vlerëson obligacionet evropiane "në kundërshtim me kushtetutën". Disavantazhet janë të shumëllojshme: "Obligacione evropiane do të thotë se Gjermania duhet të mbajë përgjegjësi për të gjitha borxhet në rritje në Evropë, për presionin e reformave në vendet e krizës, kostot vjetore të përqindjeve të interesit do të rriten për Gjermaninë të paktën me 15 miliardë euro dhe e gjithë Evropa do të vazhdojë të futet në borxhe," thotë Fricke.

Sigurim i plotë pa vetëpjesëmarrje

Argument i rëndësishëm kundër obligacioneve evropiane është i ashtuquajturi "moral hazard". Kushte të favorshme përqindje interesi do të ftonin vendet e mpira në periferi të Bashkimit monetar të vazhdonin bizneset si deri tani. "Obligacionet evropiane janë si një lloj sigurimi i plotë pa pjesëmarrje vetjake," gjykon Alexander Graf Lambsdorff, kryetar i demokratëve liberalë ne Parlamentin Evropian.

Përkrahësit e obligacioneve evropiane kanë futur në diskutim faktin që edhe vetë Këshilli gjerman i eskpertëve në raportin për zhvillimin ekonomik të vitit të kaluar ka propozuar obligacionet evropiane. Të ashtuquajturit Pesë të Urtit futën në lojë një fond evropian për amortizimin e borxheve, i cili parashikon po ashtu përgjegjësi të përbashkët./Dw-Start/

                                                                                             2012-05-24 11:05
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›