E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfliktet me djalin, pi helm e vdes 46-vjeçarja

KORÇE - Vdekja e bashkëshortit dhe konfliktet e vazhdueshme me djalin, e kanë çuar një 46-vjeçare nga Korça që të ndërmarrë vetëvrasjen, duke pirë fostoksinë.
Sipas policisë, ngjarja e rëndë ka ndodhur në orën 07:30 të ditës së hënë, në njërin nga hotelet e qytetit të Pogradecit, ndërkohë që në mesditë, me gjithë përpjekjen e mjekëve, ajo ka ndërruar jetë në spital.
Burimet zyrtare konfirmojnë se viktima e vetëflijuar është 46-vjeçarja Flutura Pine nga Korça, e ve dhe nënë e një djali. "Nga hetimet e para rezulton se vetëvrasja e Pines ka ardhur si shkak i vështirësive në përballimin e jetës nga humbja e bashkëshortit si dhe problemet që kishte me djalin e saj", - shtojnë burimet policore.

NGJARJA
Para se 46-vjeçarja Flutura Pine të ndërmerrte aktin vetëvrasës, i ka dërguar një mesazh telefonik djalit të saj. "Më vjen keq t´ju them se unë jam në një hotel në qendër të Pogradecit dhe po vetëhelmohem. Kam diçka personale që nuk mund t'jua them. Lamtumirë! Ju dua shumë!", - thuhet në mesazhin e dërguar nga Pine.
Mësohet se viktima është gjetur në gjendje kome në dhomën 108 të hotelit nga punonjësit, të cilët e kanë nisur menjëherë në spital dhe kanë njoftuar policinë. Policia nisi hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. "46-vjeçarja ka shkuar në orën 18:00 të ditës së diel në hotel, ku dhe ka kaluar natën. Më parë ajo kishte ardhur nga Korça dhe kishte shkuar tek një kushërirë e saj në fshatin Buçimas të Pogradecit.
Në hotel ka prenotuar një dhomë. Kanë qenë punonjësit e hotelit që e kanë gjetur në mëngjes, në koma mbi krevat dhe kanë njoftuar në komisariatin e policisë. Po hetojmë shkaqet e ngjarjes së rëndë", - konfirmojnë burimet zyrtare të policisë.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›