E Diel, 1 Nëntor 2026

Konfliktet për pronat minojnë zhvillimin e turizmit në ShqipëriNga Norbert Rütsche, “Die Presse”Borsh- Dielli i kuq flakë zhytet në detin Jon në jug të Shqipërisë. Në plazhin me guralecë të vegjël nuk dëgjohet gjë tjetër përpos zhurmës së ujit dhe fë

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Konfliktet për pronat minojnë zhvillimin e turizmit në ShqipëriNga Norbert Rütsche, “Die Presse”

Borsh- Dielli i kuq flakë zhytet në detin Jon në jug të Shqipërisë. Në plazhin me guralecë të vegjël nuk dëgjohet gjë tjetër përpos zhurmës së ujit dhe fëshfërimave të gjetheve të agrumeve dhe ullinjve.

Por pak metra më tutje qetësia mbaron. Një delegacion me investitorë potencialë gjermanë ka mbërritur.

“Aristokratët” e rinj të krahinës udhëtojnë me makinat e tyre Mercedes në plazh. Gomerët u hakërrehen udhëtarëve, ndërsa kalimtarët bëjnë sehir sa poshtë lart.

Në breg mbërrin Vladimir Kumi, kryetar komune i Lukovës: 300 ditë me diell në vit ofron krahina e tij, miqësia e banorëve të zonës nuk ka të krahasuar - kushte këto shumë të mira për turizëm. Por Kumi e di se ka një kleçkë - marrëdhëniet e pasqaruara të pronësisë mbi tokën.

“Nuk kemi prona për të shitur”, - thotë ai me sinqeritet. Për sa kohë një parcelë nuk është e regjistruar në hipotekë, shitja është e ndaluar. Për investitorët potencialë ka vetëm një treg, ai informal.

Fajtor për këtë është kryetari i qeverisë në Tiranë: “Ai e shtyn regjistrimin e premtuar, që të shtjerë sa më shumë toka në brigjet e jugut në duart e shtetit, duke dëmtuar kështu interesat e njerëzve të thjeshtë.”

Gjatë dyzet viteve të diktaturës staliniste, toka i përkiste në Shqipëri shtetit - që pas rënies së komunizmit në vitin 1990, për të njëjtën copë tokë pati shumë pretendime nga persona të ndryshëm dhe nga vetë shteti, çka ka sjellë shumë konflikte.

Eldorado e individualistëve

Edhe në gjirin e mrekullueshëm të Kakomesë, në jug të Lukovës, ka pasur konflikte të shumta. Francezja “Club Med” donte të ndërtonte këtu për 75 milionë euro një resort luksoz me një firmë ndërtimi shqiptare, “Rivierën”, në mënyrë që turistët elitarë perëndimorë të mbërrinin në Shqipëri. Por operatori më i madh turistik në Evropë i kishte bërë llogaritë pa banorët e Lukovës. Për të paktën katër vite ata protestuan dhe bllokuan rrugën, për shkak se nuk u njihej e drejta e pronësisë në gjirin e Kakomesë.

Akuzat e Kumit janë shumë të rënda: Njerëzit e kompanisë “Riviera” korruptuan zyrtarë të qeverisë, që toka në gjirin e Kakomesë të njihej si pronë shtetërore, kështu që pronarët e vërtetë nuk do të kompensoheshin. “Ata më ofruan mua një milion euro”, - kujton kryetari i komunës. Ai e hodhi poshtë këtë ofertë dhe së bashku më të tjerë përfaqësues të zonës kaloi disa ditë në burg.

Megjithatë protestat vijuan më tej dhe gjërat për “Club Med” u vështirësuan më shumë. Në qershor grupi i fuqishëm u tërhoq, sipas njoftimeve të medias. Në lidhje me dyshimet për korrupsion, “Club Med” nuk preferoi që të shprehej.

Përplasja për gjirin e Kakomesë është një shembull se si shumë pyetje në lidhje me pronësinë e tokës në Shqipëri nuk janë sqaruar ende.

Avokati Helmut Eisner nuk rekomandon blerjen e tokave në Shqipëri: “Ne duhet të jemi të qartë se këtu pronësia nuk është tamam pronësi”. Por mbi të gjitha Eisner paralajmëron në lidhje me marrëveshjet që mund të lidhen me sekserë, në mënyrë të njëanshme, ndërkohë që nuk ka një palë zyrtare. Ai vetë thotë se ka marrë disa oferta informale. “Dikush donte të më shiste një gadishull të tërë me një kala të tipit osman brenda, e madje me një kontratë të supozuar për një kazino - me një çmim prej disa milionë eurosh”, - kujton Eisner.

Por, edhe nëse “Club Med” do ia kishte dalë me sukses në investimin e tij, ekspertët thonë se ka shumë pak shanse që vendi ballkanik të kthehet në një Majorka të re për evropianoperëndimorët.

Më saktë, është e pazbuluara ajo që e bën Shqipërinë interesante për turistët individualë.

“Gjurmët ende shumë të freskëta të izolimit 40-vjeçar të Shqipërisë dhe format e veçanta të komunizmit të saj e bëjnë atë emocionuese për turistët”, - thotë Jörg Kahlmeier nga agjencia për studime turistike “Weit-Blicke”.

Nga dritarja e autobusit duken mbetjet e çdo kohe, në çdo cep: bunkerët e vegjël të betonit për një person shtrihen në tokë si kërpudha, një dëshmi e paranojës së diktatorit stalinist, Enver Hoxha. Hoxha ka kohë që ka vdekur, bunkerët nuk përdoren më. Për këtë, që nga prilli Shqipëria është anëtare e NATO-s.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›