E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeverisja e vendit duhet të “akreditohet” para universiteteveNga Besnik Gjongecaj Një nga lajmet e dhëna për publikun këto ditët e fundit është ai i fillimit të procesit të akreditimit të Universitetit të Tiranës nga British Council, agjenci akredit

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Qeverisja e vendit duhet të “akreditohet” para universiteteveNga Besnik Gjongecaj

Një nga lajmet e dhëna për publikun këto ditët e fundit është ai i fillimit të procesit të akreditimit të Universitetit të Tiranës nga British Council, agjenci akreditimi që ka kryer procesin e akreditimit përveç të tjerash edhe për disa universitete të Kosovës. Përfaqësuesi i kësaj agjencie deklaroi publikisht se agjencia do të punojë për vlerësimin e jashtëm të cilësisë të Universitetit të Tiranës si një entitet më vete, pra do ta vlerësojë atë në nivel institucioni dhe nuk do të bëjë vlerësim të pjesëve përbërëse të tij. Ai bëri publik se vlerësimi i cilësisë së këtij institucioni do të bëhet në katër drejtime, midis të cilëve, drejtimi i parë dhe me sa duket edhe më i rëndësishmi i përmendur prej tij do të jetë komponenti i qeverisjes universitare (university governance). Megjithëse në ligjin ekzistues të arsimit të lartë është parashikuar vlerësimi i cilësisë së universiteteve shqiptare edhe nga agjenci të huaja akreditimi, pjesë e Rrjetit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, deri më sot, asnjë përpjekje nuk është bërë që vlerësimi i jashtëm i cilësisë së këtij universiteti apo i universiteteve të tjera të vendit, si dhe i programeve të tyre, të mund të bëhet nga strukturat vendase të parashikuara me ligj, konkretisht nga Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë apo Këshilli i saj i Akreditimit. Këtë gjë nuk e kemi dëgjuar të bëhet as për universitete që lëshojnë diplomë për herë të parë, të cilat, sipas ligjit ekzistues, e kanë të detyrueshme t’i nënshtrohen këtij procesi. Akoma më shumë, vazhdojnë të merren vendime nga qeveria për themelimin e universiteteve të reja, siç ishte vendimi i fundit para pak kohësh mbi themelimin e një universiteti në Peshkopi pa kërkuar mendim nga strukturat shqiptare të akreditimit, pra në neglizhim të plotë të tyre, që përsëri, të paktën sipas ligjit ekzistues të arsimit të lartë, do t’i tregonin qeverisë, nëse është apo jo e mundur të themelosh një universitet në Peshkopi. Çdo agjenci akreditimi ka një procedurë të caktuar për këtë qëllim, ashtu sikundër edhe çdo ligj i arsimit të lartë, sado i keq-përgatitur të jetë, siç është ligji që kemi në Shqipëri, parashikon disa kritere dhe kushte, pa plotësimin e të cilave nuk mund të themelosh dhe nuk mund të mbash të njohur zyrtarisht një institucion të arsimit të lartë. Mospërfillja prej qeverisë e strukturave të tilla të rëndësishme për arsimin e një vendi bëhet, sepse para së gjithash është e mundur dhe pastaj, sepse kështu i intereson qeverisë. Në pjesën mbi akreditimin në ligjin aktual të arsimit të lartë thuhet që standardet e akreditimit, pra standardet e vlerësimit të cilësisë universitare, nuk përcaktohen nga Agjencia apo Këshilli i Akreditimit, por nga ministria (nënkupto: qeveria), ministri i Arsimit dhe Shkencës (nënkupto: qeveria) emëron anëtarët e Këshillit të Akreditimit dhe kryetari i Këshillit të Akreditimit emërohet e shkarkohet nga kryeministri… Strukturat e akreditimit, në filozofinë e organizimit të arsimit të lartë, në një unanimitet absolut mendimi, kanë statusin e strukturave tampon, ndërmjetëse, sepse në zinxhirin e hierarkisë institucionale vendosen midis qeverisë dhe universiteteve duke mos i takuar asnjërës. Vetëm kështu ato mund të kryejnë një rol realist në vlerësimin e cilësisë universitare, pa u ndikuar as nga politika dhe as nga vetë të interesuarit, pra as nga vetë universitetet. Te ne strukturat e akreditimit janë në duart e qeverisë. Prandaj, qeveria “mundet” të shpërfillë procesin e akreditimit. Por, nga ana tjetër, është tashmë e provuar që në çdo themelim apo projekt themelimi të një universiteti të ri, qeveria ka një interes të caktuar politik, për realizimin e të cilit ajo përdor brutalisht strukturat akredituese të këtij vendi. Qeveria i detyron këto struktura, ose të flasin sipas interesit të saj politik ose, sipas të njëjtit interes, i detyron të heshtin. Ja pse është kaq dramatike të shohësh se si institucioni i akreditimit universitar në Shqipëri hesht, kur duhet të “ulërijë” sa herë që hapet një universitet në Gjirokastër, në Kukës, në Peshkopi…, sa herë që me të njëjtën lehtësi, siç vendosej dikur për të ngritur një kooperativë të re, vendoset për të hapur një universitet të ri dhe vetëm e vetëm për motive politike; madje edhe nën peshën e frikës për t’i patur studentët të shpërndarë, jo të grumbulluar vetëm në Tiranë, të cilët, si dikur, do të mund të organizoheshin e të kërkonin edhe njëherë demokracinë e munguar.

. . .

British Council do të fillojë vlerësimin e cilësisë të Universitetit të Tiranës duke vlerësuar qeverisjen e tij, pra duke ekzaminuar mënyrën se si pushteti apo kapaciteti vendimmarrës i vendosur brenda universitetit përdoret prej tij, me ç’efektivitet dhe sa në dobi të universitarëve, por edhe të shoqërisë. Pra, që të ekzaminosh vetëqeverisjen e një universiteti, apriori duhet të pranosh se këtij universiteti i është dhënë një pushtet i caktuar, ka një kapacitet të caktuar vendimmarrje brenda tij. Shumë shpejt, dhe unë jam i bindur për këtë, kjo agjenci, si shumë të tjera po të ishin në vendin e saj, do të kuptojë që është e domosdoshme të ndryshojë fokusin e investigimit: nga mënyra se si përdoret pushteti brenda universitetit, te mënyra se si ky universitet në të ardhmen do të mund të marrë pushtetin e nevojshëm dhe vetëm pastaj të mund të vlerësojë se a përdoret apo jo me efektivitet ky pushtet. Shumë shpejt British Council do të kuptojë se nuk ka se çfarë të vlerësojë në qeverisjen universitare (university governance) të këtij universiteti, sepse ky universitet, si secili universitet tjetër i këtij vendi, është i zhveshur nga çdo pushtet, është pa kapacitet vendimmarrës, pa autonomi, të asnjë dimensioni, pra, pa autonomi strukturore, pa autonomi administrative, pa autonomi financiare. Të gjitha vendimet e mëdha dhe jetike, që do të duhej të merrte ky universitet në hapësirën konkurruese, i merr qeveria, ndërsa universitetit në fjalë, si çdo universiteti tjetër në vend, i mbetet vetëm t’i zbatojë ato. Kjo agjenci akredituese, në këtë pikëpamje, nuk do të ketë asnjë mundësi për të aplikuar metodat e saj standarde në vlerësimin e një institucioni të arsimit të lartë, aq më shumë se, për shkak të mungesës së autonomisë universitare, mungojnë edhe strukturat standarde qeverisëse të destinuara për përdorimin e pushtetit që gëzon universiteti brenda një autonomie të dhënë. Dhe si në çdo vlerësim institucional të efektivitetit të qeverisjes universitare, mungesa e strukturave të tilla, rrjedhimisht, edhe “boshllëku institucional” ku do të duhej të ishin vendosur mënyra se si ato funksionojnë, si përdorin pushtetin në raport me njëra-tjetrën dhe me institucionin në përgjithësi, pra kjo mungesë do ta linte vetë agjencinë pa instrumentet e nevojshme të vlerësimit të qeverisjes universitare. Në këtë pikëpamje, kjo agjenci akreditimi është e detyruar t’i heqë sytë nga Universiteti i Tiranës dhe nga çdo universitet tjetër i vendit dhe të merret me qeverinë. T’i shpjegojë asaj se ka marrë një pushtet që në një sistem demokratik nuk i takon qeverisë, por universiteteve; se këtë pushtet duhet ta lëshojë duke filluar me përpilimin e një ligji të ri për arsimin e lartë, pra duke filluar edhe njëherë nga fillimi, fatkeqësisht. Duke filluar edhe njëherë me atë që quhet reformë legjislative. Pa kryer këtë reformë nuk mund të bëhet asnjë akreditim, asnjë vlerësim i besueshëm cilësie në Shqipëri, sepse thjesht, aty nuk janë mjetet e vlerësimit. Prandaj, akreditimi i universiteteve në Shqipëri nuk mund të nisë pa nisur para së gjithash “akreditimi” demokratik i qeverisjes së këtij vendi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›