Konfliktet, plagosen një djalë dhe një vajzë
Një djalë dhe një vajzë kanë mbetur të plagosur me armë zjarri nga dy ngjarje të ndryshme në Tiranë, ndërkohë që policia ka arrestuar një nga autorët e këtyre krimeve. Lefteri Muça, 28 vjeçe është plagosur aksidentalisht nga një fqinji i saj te lagjja "Ali Demi", kur ai ka bërë një qitje të pavullnetshme me Kallashnikov. Ndërsa një i ri është plagosur me pistoletë tek "Ura e Babrrusë", pas një konflikti me dy bashkëmoshatarë. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se ngjarja e parë është regjistruar nga Komisariati Nr. 1. Shërbimet e policisë thanë se u arrestua në flagrancë Florian Xhindi, 25 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar për trafikim të lëndëve narkotike. Ky person, rreth orës 10.45 të paradites, në rrugën "Ali Demi", përpara banesës, ka qëlluar me armë zjarri automatik, ku për pasojë është plagosur Lefteri Muça, 28 vjeçe, banuese në Shkozë, e cila ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Policia tha se qitja ka qenë e pavullnetshme, megjithatë ai do akuzohet për plagosje nga pakujdesia dhe armëmbajtje pa leje. Ndërsa nga Komisariati Nr. 4, filloi procedimi penal për shtetasit Elis Pëllumb Qokaj dhe Edison Hysen Cara, përkatësisht 17 dhe 22 vjeç, banues në Tiranë. Sipas të dhënave hetimore, rreth orës 22.00, tek "Ura në Babrru", për motive të dobëta, në bashkëpunim, kanë plagosur me pistoletë Ilir Malën, 19 vjeç, banues në Babrru, i dënuar për kundërshtim të punonjësit të policisë. Nga policia mësohet se ka qenë një konflikt i momentit dhe në vendngjarje u gjetën dhe u bllokuan pesë gëzhoja pistolete. I plagosuri është dërguar në spital, ndërkohë që po punohet për kapjen e autorëve.