Shpërthimet për rrugën dëmtojnë çatitë e shtëpive
Banorët e lagjes Shënelaz në fshatin Breglum të Komunës Tërthore në Kukës kanë protestuar kundër ndërtuesve të një ure në autostradën Morinë-Kalimash, pasi thonë se firma sipërmarrëse ka shpërthyer disa mina në beton, duke rrezikuar jetën e banorëve dhe duke shkaktuar dëme në banesa. Dy-tre ditët e fundit aty janë pezulluar punimet, ndërsa lagjja kërkon që në vendngjarje të shkojnë ekspertët për vlerësimin e gjendjes. Zona në fjalë gjendet 7 kilometra larg Kukësit, në aksin e autostradës Durrës-Kukës-Morinë. Në urën ku punon kompania maqedonase, "Granit", në Breglum, siç tregojnë banorët, tri ditë më parë janë shpërthyer një numër minash për të çmontuar disa kolona të shkurtra mbajtëse të vinçit. Por, siç pretendojnë ata, minatorët nuk janë kujdesur për të njoftuar lagjen para se bëhet shpërthimi, dhe, siç tha një amvisë, vetëm fati i ka shpëtuar fëmijët që ndodheshin të gjithë përjashta duke luajtur. "Na janë frikësuar fëmijët dhe e kemi pasur problem t‘i sjellim në vete, ishte një shpërthim i papritur dhe plot copa betoni ranë në tjegulla e në kopsht", thotë ajo.
Shpërthimi kishte ndodhur në mesditë dhe pa paralajmëruar. Kolonat mbi njërën nga këmbët e urës që ndodhet në ndërtim e sipër janë vetëm dhjetëra metra larg nga banesat fshatare. Hajdar Abazi, një burrë 65 vjeç, duke treguar gurët që kishin rënë në kopsht, tha për gazetën "Shqip" se do të ankohej për të penalizuar ndërtuesin e pakujdesshëm dhe se për dëmin e shkaktuar kërkonte vlerësim.
Aty ndodhen 11 familje që i bashkohen protestës. Ndërsa burime jozyrtare të kompanisë tregojnë se çmontime të kolonave të tilla janë bërë edhe më herët me mina, dhe se nuk është shkaktuar ndonjë dëm i dukshëm. Kompania e urave ka pasur edhe më herët sherre me banorët lidhur me rrugën, ujësjellësin etj.