E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vajza vret babanë: Na rrihte të gjithëve në familjen tonë

Një krim i rëndë brenda familjes ka ndodhur në një fshat të Mirditës, kur vajza ka vrarë gabimisht të atin, teksa ai po zihej me nënën e saj. Ajo ka tentuar ta ndalojë dhunën që ai po ushtronte ndaj të ëmës, por lëvizja ka qenë fatale, duke i ngulur thikën në fyt e nga hemorragjia ka gjetur vdekjen. Policia ka arrestuar adoleshenten 17-vjeçare për këtë krim, ndërkohë që vazhdon puna për hetimin e plotë të saj.

Krimi i rëndë ka ndodhur në familjen Gjoka, në fshatin Arrëz të Komunës Kaçinar. Gjergj Gjoka ka shkuar në shtëpi i pirë, e ashtu siç kishte ndodhur shumë herë të tjera, ka filluar debati me të shoqen. Ai e ka goditur atë disa herë me grushte, e më pas ka marrë armën Kallashnikov që mbante pa leje. Me anë të saj, 43-vjeçari ka kërcënuar gruan që mos të lëvizte, e ka vazhduar duke e goditur. Gjatë konfliktit, që ka zgjatur jo pak, ka ndërhyrë edhe vajza e tyre 17-vjeçare, A. Gjoka, e cila nuk i ka duruar më këto konflikte në familje. Ajo ka kërkuar prej tyre që të qetësohen e mos të ziheshin më, por asgjë nuk ka ndodhur, e konflikti ka vazhduar... Në këto kushte, duke menduar jo gjatë, pa e ditur se çfarë po bën, e pa e llogaritur se i ati ishte me automatik në dorë, ka marrë një thikë në kuzhinë dhe ka hyrë në mes nënës dhe babait. Ajo ka kërkuar edhe njëherë nga babai i saj që t‘i jepej fund këtij konflikti, por pija ia ka errësuar sytë më shumë atij dhe ai ka goditur edhe vajzën. Në përleshje e sipër, ai është nevrikosur edhe më shumë, pasi ajo kishte ndërhyrë në konflikt dhe është konfrontuar trup më trup. Në ato momente, i ka dhënë një goditje përfundimtare vajzës, por edhe ajo të atit. 17-vjeçarja ka rënë përtokë pa ndjenja dhe me thikë në dorë, ndërsa i ati, që ende qëndronte në këmbë është gjakosur. Aty nëna ka vënë re se ai ishte çarë në fyt nga thika që mbante vajza, e në ato momente, Gjergj Gjokës i janë prerë gjunjët dhe është dergjur përdhe. Ka kërkuar vetëm ujë dhe asgjë tjetër. Familja ka tentuar të njoftojë ambulancën, por hemorragjia ishte shumë e madhe, e brenda pak minutash..., ai ka ndërruar jetë. Në vendngjarje kanë mbërritur uniformat blu dhe ambulanca, por ka qenë shumë vonë për të shpëtuar jetën e 43-vjeçarit. Në këto kushte, policia ka marrë në pyetje familjen se çfarë kishte ndodhur dhe ka vendosur që të arrestojë 17-vjeçaren për vrasje nga pakujdesia. Ndërsa në cilësinë e provës materiale ka bllokuar thikën, me të cilën ndodhi vrasja dhe automatikun e kryefamiljarit. Megjithatë, burimet policore shpjeguan se ky nuk ishte rasti i parë i dhunës në këtë familje. Sipas të dhënave hetimore, ai vinte shpesh i pirë dhe dhunonte të shoqen ose fëmijët. Dhuna kishte nisur kohë më parë, kur ai kishte mbetur pa punë dhe nata e së hënës ka qenë fatale, duke sjellë vrasjen e tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›