Konflikti Izrael-Iran, Hamasi qëndron jashtë

Lëvizja palestineze, Hamas, ka thënë se nuk do të godasë Izraelin në rast se do të ndodhte ndonjë konflikt i armatosur ndërmjet Iranit dhe shtetit hebre.
Zëdhënësi i Hamasit, Favzi Barhun, ka thënë se grupi nuk ka aftësi për të qenë pjesë e një “lufte rajonale”.
Udhëheqësi i lartë i Hamasit, Ahmed Jusuf, ka hedhur poshtë pretendimet e Izraelit se kjo lëvizje do të hidhte raketa në drejtim të Izraelit, në çdo luftë me Iranin.
Komentet vijnë në mesin e spekulimeve se Izraeli mund të sulmojë pozicionet bërthamore të Iranit në muajt e ardhshëm.
Hamasi, i cili sundon Rripin e Gazës që nga viti 2007, ka qenë për kohë të gjatë aleat i Iranit.
Por, analistët thonë se marrëdhëniet e tyre janë përkeqësuar në javët e fundit, për shkak se lëvizja islamike ka refuzuar të mbështesë hapur regjimin e presidentit të Sirisë, Bashar al-Asad, që është një tjetër aleat i Iranit.