E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konflikti Kinë-Bashkim Sovjetik, mbrapa qëndron Kenedi

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Paris, 2 dhjetor 1960 - Më në fund një informacion shumë i rëndësishëm tregon shumë për shkakun e vërtetë të konfliktit të ashpër dhe të pafund mes sovjetikëve dhe komunistëve kinezë. Shkaku është dëshira e Sekretarit të Parë dhe Kryeministrit sovjetik, Nikita S. Hrushovit, për të rinisur negociatat serioze me qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shumë arsye të tjera janë sugjeruar haptazi që kur shpërtheu konflikti pas takimit të shefave të komunizmit herët këtë verë në Bukuresht. Spekulimet kanë arritur deri në atë pikë, sa flitet dhe për një përdorimin të Vetos nga Hrushovi në operacionet ushtarake kineze të planifikuara në Ngushticën e Tajvanit. Të gjithë armiqtë perëndimorë kanë qenë natyrisht të etur për të mësuar origjinën e vërtetë të konfliktit kinezo-sovjetik, qoftë edhe për përmasat e natyrës së vetë konfliktit. Shfaqja më e fundit e kësaj është mbledhja e kolosëve të udhëheqjes komuniste nga e gjithë bota, e cila ka zgjatur për javë të tëra, por që nuk ka dhënë asnjë rezultat. Dështimi i këtij takimi është tashmë i qartë, edhe pse shumica e shefave të partive janë ende në Moskë dhe të qetë me sa duket, duke vazhduar debatin e tyre të gjatë. Prova e dështimit të këtij takimi e vërteton fare mirë rindezja e konfliktit të ashpër mes shtypit të dy vendeve. “Pravda” është edhe njëherë tjetër duke dënuar fuqimisht “dogmatistët marksistë”, – çka do të thotë kinezët – ndërsa “People’s Daily” e Pekinit përmend “revizionistët” – që janë sovjetikët. Fshehtësia është ajo që rrethon të gjitha arsyet për të besuar se shkaku i vërtetë i të gjitha këtyre gjëmimeve është dëshira e Hrushovit për të nisur sërish negociatat. Por disa prova të qarta janë të disponueshme në formën e një liste të mbështetësve kinezë në mbledhjen e Moskës. Përveç shqiptarëve, të cilët janë pozicionuar me Kinën, për shkak të një problemi në partinë e tyre dhe ndoshta dhe koreanoveriorët, të vetmit mbështetës të Kinës ishin kubanët, venezuelianët, kolumbianët dhe disa vende të tjera komuniste nga Amerika Latine. Sigurisht që anti-amerikanizmi është virtualisht arsyeja më fortë e gjithë mbështetjes së partive komuniste të Amerikës Latine. Duke ditur shkakun e vërtetë të zënkës, është gjithashtu e mundur që të parashikosh rrjedhën e saj akoma më saktë. Në mënyrë të dukshme, mbledhja e Bukureshtit u mbajt për të rishikuar situatën botërore pas shpërthimit në samitin që u zhvillua në pranverë. Me sa duket, Hrushovi shkoi në Bukuresht i vendosur për të rishfaqur edhe njëherë tjetër qëndrimin e tij para samitit, menjëherë sapo problemet në samit të zgjidheshin. Po kaq në mënyrë të dukshme delegacioni kinez denoncoi politikën e Hrushovit përpara samitit si një ndërmarrje aventureske dhe bëri thirrje për rifillimin e plotë të Luftës së Ftohtë në mënyrën staliniste. Më në fund, është e dukshme se të dyja palët kanë ruajtur me kokëfortësi qëndrimet e tyre deri tani. Jashtë axhendës së punimeve të Kongresit të Bukureshtit, me iniciativën e delegacionit sovjetik u organizua një takim i përfaqësuesve të Partive Komuniste të vendeve të ndryshme që merrnin pjesë në Kongresin rumun. Në këtë takim Hrushovi ndërmori një sulm kundër Partisë Komuniste Kineze, duke e akuzuar si përçarëse të Lëvizjes Komuniste dhe kërkoi që të gjithë pjesëmarrësit ta dënonin veprimtarinë e saj. Si fakt Hrushovi solli një broshurë që kinezët kishin botuar me rastin e 90-të vjetorit të lindjes së Leninit me titullin “Rroftë Leninizmi”. Me shumë mundësi, Hrushovi do të ndjekë rrugën e tij, pavarësisht protestave kineze. Kjo do të thotë se ai do të kërkojë të rinisë negociata të përgjithshme për çështjet që atij i interesojnë dhe do të nisë një dialog paralel, akoma më personal me Presidentin amerikan, Xhon Kenedi, gjatë dimrit të ardhshëm. Prandaj, problemet që do shfaqen për bërësit e politikës perëndimore janë delikate, edhe pse brenda tyre nuk mungon elementi shpresë. Për ta nisur, duhet thënë se është shumë e qartë se nëse Hrushovi dëshiron të flasë, bisedimet do të zhvillohen. Pas dështimit të takimit të samitit, ai u ka thënë gjermanolindorëve se ai nuk do të firmoste një marrëveshje të veçantë paqeje me ta, sepse ai dëshironte që “ta përdorte Berlinin si një vegël” për të drejtuar aleatët perëndimorë në tavolinën e konferencës. Ai është duke e përdorur ende këtë vegël. Natyra e bisedimeve që Hrushovi parapëlqen më shumë janë krejtësisht private dhe bilaterale me Presidentin, Xhon F. Kenedi. Kjo lëvizje e tij u la të kuptohej nga vërejtja që ai bëri në Kombet e Bashkuara për SHBA-në dhe Bashkimin Sovjetik “se ishin të vetmet fuqi të mëdha”. Dhe me sa duket, kjo ka qenë arsyeja që rastësisht zemëroi kinezët. Por bisedimet dypalëshe për çfarëdolloj qëllimi që kalojnë përtej marrjes së masave, nuk ka shumë mundësi që të miratohet nga gjenerali De Gol, Kryeministri Mekmillan dhe Kancelari Adenauer. Akoma më keq, dy çështjet kryesore, të cilat Hrushovi dëshiron të negociojë më shumë, janë me siguri çarmatimi dhe ndalimi i provave bërthamore. Në negociatat e mëparshme për këto dy çështje shumë të rëndësishme, sovjetikët kanë lënë gjithnjë të kuptohej se ata mund të merrnin shumë kollaj pëlqimin e kinezëve për çdo marrëveshje që do të arrihej. Kjo ishte e nevojshme, sepse asnjë marrëveshje për cilëndo prej këtyre problemeve nuk do të kishte vlerën më minimale pa pasur miratimin e Kinës. Por fakti i thjeshtë që udhëheqësit komunistë kinezë e kundërshtojnë ashpër çdo ulje në tavolinë për të negociuar me SHBA-në, ngre dukshëm dyshimet për vullnetin e tyre për çfarëdo marrëveshje të arritur mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik. Prandaj, vlera e një përpjekjeje të madhe për të arritur një marrëveshje është gjithashtu në dyshim. Me pak fjalë, identifikimi i shkakut të vërtetë të zënkës kinezo-sovjetike ngre më shumë pyetje se përgjigje.
Ky lajm është publikuar: 11/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›