E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Konferencë gjyqësore dhe në mungesë të ligjit

Autori i Lajmit: Redaksia
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli është bërë pjesë e debatit të sistemit të drejtësisë lidhur me zëvendësimin e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Pas diskutimit mes gjyqtarëve kryeparlamentarja ka marrë informacion të plotë nga përfaqësuesit e Kuvendit në KLD dhe më pas është shprehur në mbështetje të zëvendësimit të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe në mungesë të ligjit. Kryeparlamentarja pohon se cenimi i parimit të zgjedhjes rregullisht të anëtarëve të saj është dhunim i drejtpërdrejtë i Kushtetutës. Sipas numrit një të Kuvendit, për zgjedhjen e përfaqësuesve të pushtetit gjyqësor në KLD, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese ka vendosur 3/5 për ligjin për Konferencën Gjyqësore dhe kur opozita bojkoton Parlamentin, është në të drejtën e trupës gjyqësore të vendit të përcaktojë vetë rregullat e zgjedhjes së përfaqësuesve të saj në KLD. Ajo ka konfirmuar qëndrimin e Kuvendit në mbështetje të plotë të autonomisë së Gjyqësorit

Deklarata

“Pavarësia e pushtetit gjyqësor është kushti themelor për funksionimin e shtetit ligjor. Për zgjedhjen e përfaqësuesve të pushtetit gjyqësor në KLD, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese ka vendosur tre të pestat për ligjin për Konferencën Gjyqësore dhe kur opozita bojkoton Parlamentin, është në të drejtën e trupës gjyqësore të vendit të përcaktojë vetë rregullat e zgjedhjes së përfaqësuesve të vet në KLD”, - deklaroi dje Topalli. Sipas saj të drejtat e Gjyqësorit për tu përfaqësuar në Këshillin e Lartë të Drejtësisë me të zgjedhurit e tij nuk mund të pengohen, tjetërsohen dhe asgjësohen nga askush. ”Është në të drejtën e Gjyqësorit që të ndërmarrë çdo nismë, në përputhje me Kushtetutën e vendit, për të zëvendësuar anëtarët me mandate të skaduara dhe për të plotësuar vendet vakante në KLD”, - tha ajo. Kryeparlamentarja ka sqaruar se Kushtetuta përcakton se balanca e përfaqësimit në KLD në favor të gjyqësorit, me anëtarë të zgjedhur rregullisht dhe që përfaqësojnë vullnetin e trupës është parim themelor i ngritjes dhe funksionimit të KLD-së. “Ky parim nuk mund të cenohet nga askush. Cenimi i tij është dhunim i drejtpërdrejtë i Kushtetutës”, - deklaroi aji. Numri një i legjislativit shqiptar e konsideroi këtë qëndrim të prerë dhe të qartë. Sipas saj Kuvendi mbështet trupën e gjyqësorit të vendit dhe të drejtën e tij për të zgjedhur dhe zëvendësuar çdo pesë vjet përfaqësuesit e vet në KLD. “Çdo qëndrim tjetër, i kujtdo individi, i cili pengon Gjyqësorin në ushtrimin e të drejtave të veta është antikushtetues dhe i pa pranueshëm për Kuvendin e Shqipërisë”, - përfundoi ajo. Ndërhyrja e Topallit në këtë çështje është bërë në kulmin e debatit të zgjedhjes apo jo të anëtarëve të KLD-së dhe në mungesë të ligjit për Konferencën Gjyqësore. Sipas ligjit në fuqi Konferenca Gjyqësore mund të mblidhet vetëm pas miratimit në Kuvend të ligjit për të. Por ky ligj është e pamundur të marrë miratimin në Kuvend për sa kohë që opozita është jashtë tij. Ligji për Konferencën Gjyqësore mund të kalojë vetëm me shumicë të cilësuar pra 84 vota. Tre ditë më parë përfaqësuesit e lartë të Gjyqësorit deklaruan mosfunksionimin e KLD-së për shkak se 4 anëtarëve të saj u ka mbaruar mandati dhe është duke ju përfunduar edhe dy të tjerëve. Për të zgjidhur këtë ngërç gjyqtarët vendosën mbledhjen e Konferencës së Gjyqtarëve edhe pa pasur një ligj gjë që është kundërshtuar nga numri dy i KLD-së, Kreshnik Spahiu.

Ky lajm është publikuar: 12/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›