Konflikti i emrit, Gruevski: Vetëm Greqi e Maqedonia e zgjidhin

Kryeministri i Maqedonisë Nikola Gruevski ka deklaruar se nuk pret që as Shtetet e Bashkuara, as ndonjë vend tjetër të zgjidhin mosmarrëveshjen greko-maqedonase për çështjen e emrit.
Gruevski ka sqaruar se vetëm Maqedonia dhe Greqia mund ta zgjidhin këtë mosmarrëveshje, duke vënë në dukje se zyrtarët maqedonas duhet ta mbajnë vëmendjen tek kjo çështje. Qëndrimi i SHBA-ve është se Maqedonia dhe Greqia duhet të zgjidhin kontestin e emrit dhe se këtë nuk mund ta bëjë dikush tjetër", deklaroi Gruevski
Kreu i qeverisë maqedonase i bëri komentet pas një takimi në Uashington me zëvendëspresidentin amerikan Xho Bajden dhe sekretaren e shtetit Hillary Klinton. Në takim u fol për aspiratat e Maqedonisë për tu anëtarësuar në BE dhe NATO. Ata i kanë tërhequr vërejtjen kryeministrit Nikolla Gruevski për bllokimin e procesit të integrimit të vendit në strukturat euroatlantike. Gjithashtu i kanë i kanë bërë me dije nevojën për zgjidhjen e shpejtë të kontestit të emrit, një zgjidhje që siç bëhet e ditur duhet të vijë nga dy vendet e përfshira në këtë proces.
Gruevski dhe delegacioni i tij u takuan dhe me Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Filip Gordon.
Greqia kërkon që maqedonia të ndryshojë emrin për shkak të një rajoni në shtetin grek i cili ka të njëjtin emërtim si Maqedonia. Mos pranimi i kësaj kërkese nga shteti maqedonas ka bërë që Greqia, anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s të bllokojë përpjekjet e saj për anëtarësim në të dyja këto organizata.