Konflikti i emrit, Maqedonia rrezikon integrimin në BE
Dy partitë më të mëdha shqiptare në Maqedoni, BDI dhe PDSH analizojnë situatën dhe zhvillimet e fundit prej të cilave varet perspektiva euroatlantike e Maqedonisë. Faktori politik shqiptar parashikon rrjedhën e zhvillimeve para dhe pas 7 dhjetorit, kur edhe pritet që Brukseli të vendosë nëse do ti japë apo jo një datë për fillimin e negociatave Maqedonisë. Partia shqiptare në pushtet BDI është optimiste se nuk do të vendoset sërish një veto, ndërsa shpresohet se do të ketë lajme të mira nga Brukseli dhe se Greqia do të tregojë konstruktivitet. Ndërkaq, lideri i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi ka porositur lidershipin maqedonas që të heqë dorë nga veprimet që irritojnë Grekët. Ai ka theksuar se nëse për një kohë të shkurtër nuk zgjidhet çështja e emrit, mund të ketë tensione ndëretnike. "Kompromisi sipas meje është që kryeministri do të japë garanci të fuqishme në qendrat vendimmarrëse në botë se do të ndryshojë emrin, identitetin e vet dhe më në fund do të pranojnë se maqedonasit janë sllavë dhe se nuk kanë asgjë të përbashkët me antikën, dhe se Maqedonia mund të vazhdojë të ndërtohet vetëm si shumetnike, pasi në të kundërtën, tendenca që të ndërtohet mbi baza etnike, është e pashpresë ", ka deklaruar Thaçi. Sipas sondazheve të realizuara nga organizata të ndryshme, 95 për qind e shqiptarëve në Maqedoni e mbështesin anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkim Evropian