Konflikti komunë-bashki mban peng rrugën
Prrenjas- Ndërkohë që një firmë ka nisur punimet për ndërtimin e një rruge, bashkia Prrenjas nëpërmjet policisë bashkiake ka ndalur punimet, pasi komuna Rrajcë ka shkelur në territorin e saj.
Bëhet fjalë për një rrugë në një lagje të Prrenjasit e krijuar pas viteve ‘90-të me banorë të Rrajcës, pasi kishte qënë e mbjellë me pisha. Prej një viti ekziston një konflikt midis dy njesive vendore për të marrë këtë lagje.
Me anë të një shkrese nga kryetari i komunës Rrajcë, Selaudin Bogdani, firma Muzhaqi, ka fituar tenderin për hapjen e një rruge në këtë lagje, por mjetet e firmës janë përballur me policinë ndërtimore dhe atë bashkiake që kanë kërkuar ndaljen e punimeve.
Përfaqësuesit e bashkisë kanë deklaruar pezullimin e punimeve duke i cilësuar ato të paligjshme dhe si ndërhyrje në territorin e bashkisë. Bashkia Prrenjas disponon edhe një shkresë nga prefektura për këtë territor si pjesë e saj.
Sipas kryebashkiakut Artur Topi, komuna Rrajcë prej një viti ndërhyn në territorin e bashkisë në kundërshtim me ligjet e urbanistikës. Ai deklaron se ky shqetësim është ngritur edhe në Prefekturë dhe në Këshillin e Qarkut të Elbasanit.
Prej kohësh midis dy njësive vendore ka patur konflikte që kanë shkuar deri në protesta. Ato pretendojnë se kjo lagje është pjesë e territorit të tyre ndërsa ligjërisht me anë të një shkrese është zgjidhur si pjesë e bashkisë. Shumë biznese të kësaj lagje kanë zgjedhur të regjistrohen në komunë, ndërsa bashkia pretendon që ato të regjistrohen pranë saj.