E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taksistët: Duam licenca 5-vjeçare

Të hënën, taksistët dy orë në grevë. Kërkojnë licencat e premtuara 5-vjeçare dhe jo liberalizim të shërbimit

Ministria e Transportit pranon liberalizimin e tregut, por mohon heqjen e licencave. Tani regjistrimi i taksive në QKR

Taksistët kërcënojnë të dalin sërish në protestë. Shkak këtë herë, sipas tyre është mohimi i licencës 5-vjeçare të aktivitetit, nga ana e Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit. Gëzim Bardhi, kryetar i shoqatës së taksive 1+4 “Tirana”, që mbron interesin e 400 taksistëve të licencuar në kryeqytet, ka bërë të ditur për gazetën “Shekulli”, se ditën e hënë do të kyçin për dy orë taksitë, në shenjë kundershtie ndaj udhëzimit të fundit të dalë nga Ministria e Transportit . “Prej mëse një viti, taksistët janë detyruar të punojnë në vend të licencës afatgjatë, me autorizime njëmujore. Tashmë që ata presin të marrin licensën 5-vjeçare, mësojnë se nuk do të pajisen me një dokument të tillë, por thjesht do të paguajnë tatimet dhe do të lihen në mëshirë të fatit, - ka pohuar kryetari Bardhi, duke e cilësuar udhëzimin si shkak për fillimin e protestave. Fillimi i protestës nga taksistët e licencuar vjen pas takimit që kreu i shoqatës së taksive 1+4 “Tirana” ka pasur ditë më parë me drejtues të Ministrisë së Transporteve, nga ku kanë mësuar se tani e tutje do të punojnë pa licenca.

“Problemi qëndron në faktin se na mohohet licenca ne që kemi 10 vite që paguajmë taksa të panumërta dhe barazohemi në detyrimet ndaj shtetit me piratët e taksive që punojnë në të zezë”. Ky nuk është i vetmi shqetësim që ngre kreu i taksistëve të Tiranës. Ai thotë se në udhëzimin e ri, taksitë do të regjistrohen si biznese të vogla në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit, ndërkohë që tani e tutje, nuk dihet se cili institucion do të jetë përgjegjës për zgjidhjen e problemeve që ata kanë. Shqetësimi i ngritur nga taksistët është cilësuar i pavend nga specialistë të Ministrisë së Transporteve. Ata kanë pranuar për gazetën “Shekulli” se do të ketë liberalizim të tregut të licencave për taksitë, por kjo do të bëhet në bazë të kritereve cilësore. Po kështu, burime zyrtare pranë dikasterit të Transporteve dhe Punëve Publike, kanë mohuar pretendimin e ngritur nga taksistët, për mospajisjen e tyre me licenca 5-vjeçare. “Kriteret për përzgjedhjen e shërbimit taksi do të jenë kryesisht cilësore. Është e vërtetë që nuk do të ketë kufizime në numrin e taksive 4+1, por kriteret cilësore do të mbeten për t’u përzgjedhur, për ata persona ose subjekte që e meritojnë këtë shërbim. Kriteret i hartojmë ne dhe kështu veprohet në të gjitha institucionet, dhe në fund fare është bashkia e cila pasi të plotësohen këto kritere i licencon”, janë shprehur specialistë të transporteve, të cilët kanë pohuar më tej se në bazë të udhëzimit të fundit, do të jetë tregu ai që do të përzgjedhë cilësinë në shërbimin taksi. Sikundër pretendon shoqata e taksive 1+4 “Tirana”, regjistrimi i taksive tani e tutje me udhëzimin e ri do të bëhet në Qendrën Kombëtare të Biznesit, akt që konfirmohet edhe nga Ministria e Transporteve. Por në ndryshim nga taksistët, specialistë të transporteve, thonë se nuk është e vërtetë që në udhëzimin e ri, cilësohet se “shërbimi taksi do të funksionojë pa licenca”. “Absolutisht që jo. Menjëherë sapo të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Bizneseve, individët apo subjektet që kryejnë shërbimin taksi, do të licencohen në bashkinë e Tiranës, ku do të marrin edhe licencën 5-vjeçare të ushtrimit të aktivitetit”, kanë saktësuar specialistë të Ministrisë së Transporteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›