E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sëmundjet kancerogjene, analiza falas për gratë

Materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, ka nisur aplikimin e analizave falas, për zbulimin dhe parandalimin e sëmundjeve kancerogjene te gratë

Projekti do të shtrihet edhe në rrethe, ku gjinekologët do të kontaktojnë me gratë dhe vajzat e reja. Spitali Obstretik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, në Tiranë, nuk do të jetë më vetëm vendi ku nënat sjellin në jetë fëmijët, por edhe një qendër e mirëorganizuar e diagnostifikimit dhe parandalimit të sëmundjeve kancerogjene te gratë dhe vajzat e reja. Prej disa muajsh qendra më e madhe obstetro-gjinekologjike në vend, ka nisur aplikimin e disa projekteve, ndër të cilat veçohet ai për kryerjen falas të paptesteve, teste këto për ekzaminimin e mitrës. Halim Kosova, drejtor i kësaj qendre është shprehurse "synimi mbetet shtrirja e projektit tek gratë në nevojë në të gjitha rrethet, madje dhe në zonat rurale".

“Do të shkojmë dhe në zonat rurale, me kutitë dhe personelin, për ta realizuar këtë qëllim’, është shprehur doktor Kosova, ndërsa shton se “ky projekt realizohet në bashkëpunim me Kooperacionin Italian për Zhvillim”. Dy muaj më parë spitali “Mbretëresha Geraldinë” është pajisur me Qendrën e Pranimit të Urgjencave, e cila konsiderohet nga drejtuesit e këtij materniteti si pika më e rëndësishme e takimit të pacientëve me stafin mjekësor për përcaktimin e diagnozës dhe dhënien e ndihmës së parë. Kryerja falas e analizave, mendohet të rrisë interesin e nënave për shëndetin, si edhe të parandalojë në një farë mënyrë, rrezikun që vjen nga sëmundjet kancerogjene, që prekin gratë, si kanceri i gjoksit apo i qafës së mitrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›