Konflikti në PD sjell mungesën e ambasadorëve
TIRANË- Konfliktet brenda vetë mazhorancës mbajnë peng përfaqësimin e Shqipërisë në nivel ambasadorësh në një sërë vendesh të rëndësishme të botës. Përfaqësitë tona diplomatike në Gjermani, Rusi, Indi, Serbi, Malajzi, Spanjë, Egjipt dhe Japoni, por edhe në Kosovë, prej kohësh, nuk drejtohen nga titullarët e tyre. Shkaqet deri më tani janë servirur si proceduriale, por për ish-shefin e diplomacisë shqiptare, gjatë qeverjses socialiste, njëkohësisht anëtar i komisionit parlamentar të Politikës së Jashtme, Kastriot Islami, mungesa e një numri kaq të madh ambasadorësh tregon qartë për shkaqe të thella politike, kryesisht brenda vetë mazhorancës. “Ky duhet trajtuar si një konflikt institucional i nivelit më të lartë, gjë që evidentohet edhe në raportin e Komisionit Evropian, pra midis ekzekutivit dhe institucionit të presidentit, me synim po ashtu siç përshkruhet në këtë raport për të interferuar apo për të bërë presion në pavarësinë e këtyre institucioneve. Por kjo mund të interpretohet edhe si një konflikt i figurave të brendshme që kanë prejardhje nga PD-ja”, - theksoi ish-ministri i Jashtëm Kastriot Islami. Duke analizuar këtë problematikë ish-ministri socialist i Punëve të Jashtme, Kastriot Islami, thekson se situata është bërë shqetësuese për vetë faktin se një krizë e tillë vjen në momentet kur diplomacia shqiptare duhet të ishte më aktive se kurrë më parë për shkak të vetë angazhimit që kërkon procesi i integrimit, por edhe për faktorë të tjerë të jashtëm që lidhen kryesisht me procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës. “Në vende të rëndësishme ku ka interesa që lidhen me objektivat madhore të integrimit evropian, por edhe Euro-Atlantik, por edhe në vendet e rajonit ku bëhet fjalë për të patur një politikë të jashtme aktive, përsa i përket çështjes së Kosovës, shikojmë me shqetësim se nuk ka titullarë të misioneve dhe përfaqësive diplomatike të Shqipërisë”, - tha Islami. Vlen të përmendet fakti se Komisioni parlamentar i Politikës së Jashtme, prej muajsh ka miratuar kandidaturat e Islam Laukës dhe Kol Berishës, si ambasadorë përkatësisht në Kosovë dhe Gjermani. Por burime pranë këtij komisioni kanë bërë të ditur se problemet me të shkuarën e tyre kanë bërë që Presidenti i Republikës, Bamir Topi, të hezitojë të hedhë firmën mbi këto propozime.