E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, OKB-së: Hetoni gjenocidin serb në Kosovë

Kërkesa është bërë nga zëvendëspresident i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Aleksandër Biberaj

TIRANË- Në një kohë kur diplomacia serbe ka nisur sulmet kundra ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, Shqipëria kërkon nga Kombet e Bashkuara që të hetojnë gjenocidin e ushtruar nga Serbia ndaj popullsisë kosovare, përgjatë viteve ‘90. Kërkesa është bërë nga deputeti demokrat, Aleksander Biberaj, gjatë vizitës që ka zhvilluar ditët e fundit në selinë e OKB-së, si zëvendëspresident i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Kërkesa

Zv/Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Aleksandër Biberaj, dhe delegacioni i Këshillit të Europës, në kuadër të vizitës së tyre në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, kanë pasur një sërë takimesh të rëndësishme, midis të cilave dhe me Këshilltarin Special për Çështjet e Gjenocidit dhe të Krimeve Masive në këtë organizatë, Francis Deng. Në këto takime janë diskutuar rastet e ndryshme që mund të klasifikohen si raste gjenocidi në botë. Një vend të veçantë në bisedë ka zënë edhe Ballkani me luftërat e tij në vendet e ish-Jugosllavisë, gjatë viteve 1990-1999. Në fjalën e tij në takim, duke u përqendruar tek Ballkani, Biberaj është fokusuar tek masakra e Srebenicës, si një rast i pastër gjenocidi, si dhe tek spastrimi etnik i kryer në Kosovë nga ushtria serbe. Duke u ndalur tek vrasjet dhe dhuna e ushtruar në Kosovë për gjatë gjithë viteve 90, dhunë që kulmoi me sulmet e hapura ushtarake në vitin 1999, Biberaj ka hedhur idenë e një hetimi ndërkombëtar për këto ngjarje, ku natyrisht, një rol të rëndësishëm, mund të luante edhe OKB-ja. Për këtë arsye ai i ka kërkuar z. Francis Deng që OKB-ja të hetojë për gjenocidin serb të kryer në Kosovë, ku u vranë mbi 10.000 kosovarë, si dhe rezultojnë akoma edhe sot me mijëra të zhdukur.

Vetoja

Gjithashtu, delegacioni i Këshillit të Europës, ku bënte pjesë edhe Biberaj, ka zhvilluar edhe një sërë takimesh të tjera me zyrtarë të lartë të OKB-së ku është diskutuar lidhur me problemet e ndryshme që shqetësojnë sot këto dy organizma ndërkombëtare. Delegacioni i KE-së zhvilloi takime me nënsekretarin e Përgjithshëm për Operacionet Paqeruajtëse, z. Alain Le Roy, nënsekretarin e përgjithshëm për Çështjet Humanitare dhe Emergjencat z. John Holmes, etj. Një takim të veçantë, delegacioni i KE-së ka pasur me z. Jorge Urbina, Kryetar i Këshillit të Sigurimit, si dhe me ambasadorë të vendeve të ndryshme, të akredituar në OKB. Në takimin me z. Jorge Urbina, Kryetar i Këshillit të Sigurimit, bashkëbiseduesit kanë diskutuar kryesisht për reformën, e cila po diskutohet prej kohësh në OKB dhe që parashikon zgjerimin e mëtejshëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së me anëtarë të rinj. Në takim u diskutua gjithashtu dhe rishikimi i së drejtës së vetos në Këshillin e Sigurimit, me qëllim kufizimin e përdorimit të saj apo edhe heqjen fare të saj. Nga ana e tij, zoti Biberaj ka mbështetur idenë e zgjerimit të Këshillit të Sigurimit me anëtarë të rinj, si dhe atë të kufizimit të përdorimit të së drejtës së vetos, duke qenë më shumë në favor të heqjes së saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›