E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Kufizimi i imunitetit jo vetëm për deputetët

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli vlerëson progress-raportin e Komisionit Evropian si realist

Mazhoranca vazhdon t’i qëndrojë idesë se progres-raporti i Komisionit Europian reflekton progresin e bërë nga qeveria e djathtë brenda këtij viti. Bazuar në këtë fakt, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, ashtu edhe si kryeministri i vendit, vazhdon ta shohë gotën e reformave të qeverisë plot, pavarësisht kritikave të raportit në lidhje me çështjet kryesore, siç janë korrupsioni, krimi i organizuar, pavarësia e sistemit të drejtësis etj. Në një konferencë për shtyp, Topalli, e ka vlerësuar pozitivisht raportin e KE-së për ecurinë e zhvillimit të vendit dhe veçanërisht përsa i përket punës së Parlamentit. Duke bërë një vlerësimkrahasuaes, jo vetëm me raportet e viteve të mëparshme, por me edhe ato të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, Topalli ka theksuar se progres-raporti për Shqipërinë është më pozitivi. “Ndër të gjitha raportet, ky ka qënë më i mire, krahasuar edhe me raportet e mëparshme, pavarësisht se ka ende punë për të bërë në shumë fusha”. - tha Topalli. Duke pranuar kritikat në lidhje me rolin që ka patur Parlamenti, Topalli, u shpreh se do të punojë për të rritur rolin monitorues të këtij institucioni ndaj institucioneve të tjera që lindin prej tij. “Mirëkuptojmë raportin për domosdoshmërinë e rritjes së ekpsertizës në parlament dhe për mungesën e progresit në rritjen e rolit monitorues të parlamentit. Këtu, parlamenti duhet të marrë një dimension më të fuqishëm. Kjo do të jetë një tjetër pikë e përqendrimit të punës së komisioneve përkatëse”, - tha ndër të tjera kryeparlamentarja. Duke u ndalur tek sfidat që i shtrohen përpara parlamentit, Topalli ka veçuar reformën zgjedhore apo dhe çështjen e kufizimit të imunitetit të zyrtarëve, titullarëve shtetërorë. Përsa i përket kësaj të fundit, ajo ka bërë të ditur se përveç imunitetit të deputetëve, do të preket edhe ai i zyrtarëve të tjerë të lartë, përfshi edhe gjyqtarët apo prokurorët, pavarësisht se opozita është shprehur kundër përfshirjes në këtë edhe të këtyre dy kategorive. “Sfida më e madhe e këtij parlamenti do të jetë kufizimi i imuniteteve për zyrtarë, titullarë dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Gjithashtu edhe Reforma në Drejtësi mbetet një pjesë thelbësore e axhendës së punës së Parlamentit”, - theksoi Topalli. Ndërsa në lidhje me reformën zgjedhore, ajo është shprehur se ndryshimi i kodit do të miratohet shumë shpejt dhe se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jenë të lira dhe të ndershme. “Ne, edhe një here, sigurojmë se jemi të vendosur që vitin e ardhshëm të bëjmë zgjedhjet më të mira, zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sfida kryesore, kodi elektoral, është prioriteti ynë, vëmendja jonë, dhe ju garantoj se do të mbyllet së shpejti”, - përfundoi Topalli fjalën e vet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›