E Diel, 1 Nëntor 2026

Dobroshi, kandidate për aktoren më të mirë të Evropës

Ylli i Arta Dobroshit u ngrit në festivalin e Kanës me filmin “Heshtja e Lornës” të vëllezërve Dardenne. Me rolin e Lornës Akademia Evropiane e Filmit e shpall një nga gjashtë kandidaturat për kategorinë e aktores më të mirë. Finalja më 6 dhjetor në Kopenhagen

Festivali Evropian i Filmit dhe Akademia Evropiane e Filmit bëri të ditur dje kandidaturat e edicionit të 21 të Çmimeve për Filmin Evropian, i cili për herë të parë në historinë e këtij festivali, zhvillohet në Kopenhagen (Danimarkë) më datë 6 dhjetor. Lajmin e konfirmon zyra e shtypit të EFA-s, e cila ka nisur votimin e kandidaturave në fushën e kinematografisë me 1800 pjesëtarët e kësaj ngjarjeje. Kandidaturat për vitin 2008 përfshijnë kategoritë për filmin, regjinë, skenarin, kompozitorin, aktorin dhe aktoren evropiane, si edhe disa çmime të veçanta të ndërtuara mbi prodhimet më të mira të kinemasë evropiane.

Në kategorinë e aktores më të mirë, ndër 6 nominimet është emri i Arta Dobroshit. E nëse pak muaj më parë ylli i saj u ngrit në festivalin e Kanës, ku pafundësisht përmendej nga kritika dhe jo kritika si “zbulimi i vëllezërve Dardenne”, nuk është aspak surprizë kjo që shohim nga dje: Dobroshi është kandidate për t’u shpallur aktorja më e mirë në Evropë për interpretimin në dramën sociale të vëllezërve Jean-Pierre e Luce Dardenne, nën titull “Heshtja e Lornës”. U prezantua për herë të parë në edicionin e 61-të të Festivalit të Filmit në Kanë ku dhe fitoi çmimin për skenarin.

Kandidatura e aktores nga Kosova konkurron përkrah emrave më me përvojë se ajo, si Hiam Abbass, Sally Haëkins, Belen Rueda, Ursula Werner, apo përkrah një aktoreje të kalibrit ndërkombëtar si Kristin Scott Thomas (“Pacienti anglez”).

Dobroshi, 29-vjeçarja e diplomuar në Akademinë e Arteve në Prishtinë, për herë të parë pati një rol protagonist në filmin “Syri magjik” të regjisorit shqiptar Kujtim Çashku. Më pas interpreton përkrah Tedi Papavramit tek “Vera” (në proces postproduksioni) i Artan Minarollit dhe së fundi tek “Trishtimi zonjës Shnajder” i Piro Milkanit. Shto këtu edhe përvojën që ka pasur në teatër me shumë role që kanë ndihmuar ngritjen e saj të sigurtë profesionale.

Kandidaturat për filmin dhe regjisorin evropian janë “Il Divo” me regji Paolo Sorrentino, “Entre les murs” i Laurent Cantet, fitues në Kanën e fundit, “Gomorra” i regjisorit Matteo Garrone, “Ëaltz ëith bashir” i Ari Folmanit, gjithashtu dhe filmat “Happy-go-lucky” i Mike Leigh, “El orfanato” i regjisorit spanjoll Juan Antonio Bayona. Edhe kandidaturat për regjisorin më të mirë janë pak a shumë këta të sipërmit.

Kandidatë për aktorin evropian janë Michael Fassbender për interpretimin tek “Hunger”, Thure Lindhardt & Mads Mikkelsen tek “Flame & Citron”, James McAvoy tek “Atonement”, “Toni Servillo” tek “Gomorra”, Jürgen Vogel tek “The Wave” dhe Elmar Wepper tek “Cherry Blossoms”.

Në kategorinë për Skenarin Evropina 2008 janë Suha Arraf & Eran Riklis për filmin “Lemon tree”, Maurizio Braucci, Ugo Chiti, Gianni di Gregorio, Matteo Garrone, Massimo Gaudioso & Roberto Saviano, të gjithë për “Gomorra”-n, Ari Folman për “Ëaltz ëith Bashir” dhe sërish një kandidat i fortë për disa kategori Paolo Sorrentino për skenarin e “Divit”.

Po ashtu Akademia Evropiane e Filmit ka për të shpallur çmimin Carlo di Palma për të cilin janë kandidatë Luca Bigazzi për “Il divo”, Oscar Faura për “The Orphanage”,

Marco Onorato për “Gomorra”-n dhe Sergey Trofimov & Rogier Stoffers për filmin “Mongol”.

Kandidatë për kompozitorin evropian janë Tuur Florizoone për muzikën në “Andrijding in Moscou”, Dario Marianelli për filmin “Atonement”, Max Richter për “Waltz ëith Bashir” dhe Fernando Velazquez për “The Orphanage”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›