E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konflikti për divorcin, plagosen 4 veta në Tiranë

 
Dy familje janë përleshur me njëra-tjetrën, pas ndarjes në gjykatë të fëmijëve të tyre
TIRANË- Gjashtë pjesëtarë të dy familjeve janë përplasur me njëri-tjetrin, pas një divorci. Ngjarja që u mbyll me katër të plagosur dhe dy të arrestuar ka ndodhur dje, në lagjen "Ali Demi" në kryeqytet, kur protagonistët fillimisht kanë tentuar të sqarohen e më pas janë përleshur mes tyre me thika. Sipas njoftimit për shtyp të policisë së Tiranës, rreth orës 18.10 të pasdites së djeshme. ka mbërritur një informacion se një grup njerëzish po ziheshin. Në vendin e ngjarjes shkuan shërbimet policore, ku u formua grupi hetimor për të hetuar mbi këtë ngjarje. "Nga hetimet, u arrit në përfundimin se Ramadan Oshafi, 54-vjeç,Bedrie Oshafi, 50 –vjeç dhe Enton Oshafi, 26 vjeç,janë konfliktuar për motive të dobëta me shtetasit Izmir Zaka, 51-vjeç, Armando Zaka, 23-vjeç dhe Nertil Zaka, 21-vjeç",-thuhet në njoftimin për shtyp të policisë.Paraprakisht, dyshohet se ngjarja e ka zanafillën pas një ndarjeje me proces gjyqësor midis dy fëmijëve të të dy familjeve. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të rrugës "Sadik Petrela" në Tiranë, ku për pasojë e kësaj grindjeje janë plagosur me thikë shtetasit :Ramadan Oshafi dhe Enton Oshafi, të cilët aktualisht ndodhen Spitalin Ushtarak Tiranë, në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa dy të tjerë kanë marrë plagë të lehta. Pas hetimeve të kryera, punonjësit e policisë kanë vendosur të arrestojnë në kushtet e flagrancës Armando Zakës dhe vëllanë e tij, Nertil Zaka. Këta të fundit akuzohen për veprën penale të vrasjes me dashje, të mbetur në tentativë. Aktualisht, vazhdon puna hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gyqësor Tiranë, për të hetuar mbi motivet e kësaj ngjarjeje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›