E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëmbimi i të miturës për trafik, në duart e gjykatës

TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda, pas hetimeve 7 mujore depoziton pranë togave të zeza dosjen penale ndaj të pandehurit Xhevdet Goxhaj, i cili rrëmbeu për pesë ditë të miturën 14 -vjeçare, duke tentuar ta trafikonte në Greqi. Burimet zyrtare pranë organit të akuzës konfirmuan lajmin e përfundimit të fazës hetimore dhe dërgimin e dosjes për gjykim. "Procedimi penal në ngarkim të të pandehurit 21 vjeçar Xhevdet Goxhaj, fillimisht ka filluar nga Prokuroria e Fierit mbi bazën e kallëzimit të datës 23 qershor të vitit të kaluar, nga babai i vajzës. Në procesverbalin e kallëzimit, babai i të miturës ka treguar se po atë ditë vajza e tij është larguar nga shtëpia duke shfrytëzuar mungesën e pjesëtarëve të familjes në shtëpi",-thuhet në kërkesën për gjykim. Sipas këtyre burimeve, e mitura është larguar nga shtëpia së bashku me të pandehurin Goxhaj, i cili me anë të mashtrimit për një lidhje dashurie dhe largimit për një jetë më të mirë, ka bërë që vajza të pranoi ta ndjekë pas në Vlorë. "Për pesë ditë, i pandehuri Goxhaj e ka mbajtur në këtë shtëpi vajzën e mitur duke tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me të, por që nuk ka arritur. E ka mbajtur të fshehur, duke i penguar lirinë, e ka vënë në kontakt me akte të turpshme duke i treguar filmime pornografike. Gjithashtu, gjatë kësaj kohe të qëndrimit të izoluar, i pandehuri i tregonte të dëmtuarës se do e shiste atë për pesë mijë euro, ose do e dërgonte jashtë shtetit për të ushtruar prostitucion",-thuhet në kërkesën për gjykim, të përpiluar në bazë të dëshmisë së vajzës dhënë para psikologut dhe njërit prind. Pas hedhjes së shortit, dosja i ra për gjykim pesëshes gjykuese të kryesuar nga kryegjyqtari Sandër Simoni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›