Abuzime në AKKP me 5 milionë USD
Përfundon kontrolli në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Kanë përfituar edhe ish-pronarë pa dosje të plotë
Inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë zbulojnë shkelje në përzgjedhjen e ish--pronarëve përfitues
TIRANË- Shkelje dhe pasaktësi në ndarjen e fondit 5 milionë USD për ish-pronarët. Inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë sapo kanë përfunduar kontrollin në zyrën e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për ndarjen e fondit të kompensimit prej 5 milionë dollarësh, shumë kjo e caktuar nga qeveria për vitin 2007. Burime të rezervuara nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronavekonfirmuan për "Shekullin" se në raportin përfundimtar, të përgatitur nga inspektorët e këtij dikasteri janë evidentuar një sërë shkeljesh procedurale, në mënyrën e shpërndarjes së fondit për kompensimin e ish-pronarëve. Raporti përfundimtarështë bërë gati tashmë dhe pritet që brenda javës së ardhshme t'i dorëzohet ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i cili do ta shqyrtojë atë. Nuk dihet ende nëse do të merret ndonjë masë për shkeljet e evidentuara në raport.
***
Inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë kanë renditur një sërë sugjerimesh për Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, me qëllim përmirësimin e punës së tyre për vitin 2008. Mësohet se në AKKP janë gjetur mbi 480 aplikime të ish-pronarëve për kompensim, prej të cilëve vetëm 119 kanë përfituar nga fondi për vitin 2007. Burimet e mësipërme bëjnë me dije se shkeljet janë evidentuar si në rastet e verifikimit të dokumenteve nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ashtu edhe në vlerësimin ligjor të zyrtarëve të AKKP-së, në përzgjedhjen e ish-pronarëve. "Në disa raste, përgjigjet nga Hipoteka kanë ardhur me vonesë, ndërsa ka pasur edhe raste kur verifikimet nuk kanë qenë të sakta. Shkelje janë gjetur edhe në vlerësimin ligjor që punonjësit e zyrës së AKKP-së i kanë bërë dosjeve të përfituesve të kompensimit, duke toleruar disa prej tyre",-pohojnë për "Shekullin" specialistët.
***
Ndër 119 përfituesit e fondit 5 milionë dollarë, ka pasur edhe nga ata që kanë përfituar, edhe pse nuk e kishin të plotë dokumentacionin, e megjithatë janë toleruar nga zyrtarët e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë e kanë cilësuar këtë shkelje, pasi janë vërejtur edhe përzgjedhje preferenciale. "Të gjitha këto shkelje të evidentuara nga inspektorët, janë shkruar në konkluzionet përfundimtare të raportit, ku bëhen edhe një sërë sugjerimesh për përmirësimin e këtyre shkeljeve gjatë shpërndarjes së fondit për këtë vit",- thuhet nga burimet. Megjithatë, grupi i inspektorëve ka vërejtur që në krahasim me vitin e kaluar, ku u evidentuan një sërë shkeljesh të rënda, këtë vit ka një përmirësim në mënyrën e përpilimit të dokumenteve dhe përzgjedhjes së përfituesve nga fondi i qeverisë për ish-pronarët. Grupi i inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë është caktuar për të kontrolluar procedurat e përzgjedhjes së ish-pronarëve përfituar në ditët e para të këtij viti. Pas shqyrtimit të të gjitha dosjeve, ata pritet t'i dërgojnë raportin përfundimtar ministrit Alibeaj.
480
Aplikime nga ish-pronarët për t'u kompensuar ndodhen të depozituara në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Një pjesë e tyre nuk janë të plota dhe kanë nevojë për verifikime shtesë
119
Ish-pronarë përfituar kompensim nga ndarja e fondit prej 5 milionë dollarësh, për vitin 2007. Inspektorët kanë konstatuar se disa prej ish-pronarëve kanë përfituar, edhe pse nuk i plotësonin kushtet ligjore
VERIFIKIMI
Alibeaj urdhëroi kontrollin në AKKP
TIRANË- Në fund të vitit 2007, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave përzgjodhi 119 ish-pronarë, përfitues të 5 milionë dollarëve. Pas ndarjes së fondit nga AKKP-ja, ministri Alibeaj urdhëroi inspektorët që të kryejnë kontrollin në këto zyra, me objekt verifikimin e procedurave të ndjekura nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Objekt i kontrollit ka qenërespektimi i procedurave të kryera, konform Vendimit të Këshillit të Ministrave me nr. 566 të datës 5 shtator 2007. "Janë kontrolluar të gjitha dosjet e subjekteve, që kanë aplikuar, pavarësisht faktit nëse ata kanë përfituar ose jo nga fondi i vitit 2007"-bënë me dije mbrëmë për "Shekullin", burime nga Ministria e Drejtësisë. Sipas këtyre burimeve, nga 500 aplikues për përftim nga fondi për kompensim të pronave, rreth 480 aplikues kanë plotësuar dokumentet dhe janë vlerësuar si kërkues që u takon kompensimi. Prej 480 aplikuesve, kanë përfituar kompensim vetëm 119 kërkues, pasi vetëm për kaq mjaftonte fondi. Përzgjedhja e tyre, sipas burimeve, është bërë në bazë të vendimeve më të hershme të dhëna nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Nga kërkuesit për përfitimin dhe kompensimin e pronave, sipas AKKP-së, kanë qenë rreth 201 kërkesa nga Tirana; 81 kërkesa nga qytetit i Korçës; 50 aplikime nga qarku i Beratit; 39 kërkesa i përkisnin qytetit të Vlorës; 37 aplikues nga qarku i Lezhës; 21 kërkesa nga qarku i Gjirokastrës; 6 kërkesa nga qarku i Kukësit dhe 3 nga qarku i Dibrës.