E Diel, 1 Nëntor 2026

Alibeaj-noterëve: Hapni dyert për inspektorët

Ministri i Drejtësisë u ka kërkuar noterëve t'i nënshtrohen kontrolleve
TIRANË-Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, u kërkoi noterëve hapjen edyerve për inspektorët dhe të përmirësojnë shërbimin dhe imazhin e tyre, ndaj qytetarëve. Gjatë seminarit të paradites së djeshme, të organizuar nga "Dhoma e Noterëve të Shqipërisë", ministri Alibeaj i vuri në dukje noterëve se edhe ata duhet t'i nënshtrohen kontrolleve nga dikasteri i drejtësisë, duke pohuar se sektori i noterisë përballet me probleme të shumta. "Noterët të hapin dyert për inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë dhe të mos zhduken kur të vijnë inspektorët, sepse nuk bëjnë gjë tjetër veçse i vënë një kryq përfundimtar punës së tyre, funksionit të tyre dhe me e keqja, një kryq të gjithëve ju bashkë. Gjendja e noterisë nuk është nga më optimalet, nuk është nga më të shëndetshmet. Nuk duhet të ndodhë që atë që konsiderohen garant i vërtetësisë, si garant i një identiteti në shumicën e rasteve të bëhet shkak për konflikte, qoftë edhe gjyqësore"- shtoi ministri Alibeaj. Ndërkaq, kryetarja e Dhomës së Noterëve të Shqipërisë, Mimoza Sadushaj, gjatë fjalës së saj shprehu angazhimin e kësaj Dhome për përmirësimin cilësor dhe profesional të veprimtarisë së noterëve. "Noteria do të profesionalizohet në sajë të punës dhe përpjekjeve që do të bëjmë ne së bashku",-tha Sadushaj, gjatë konferencës së djeshme, duke ofruar bashkëpunim. "Jam në pritje të propozimeve tuaja për çdo ndryshim në përfitimin tuaj, jo të Ministrisë së Drejtësisë, jo të Këshillit të Ministrave"-tha dje ministri Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›