E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama me të rinjtë: Koha për bashkimin e ri

 

Kryetari i PS-së, Edi Rama vijoi dje takimet me të rinjtë në qytetin e Fushë-Krujës

FUSHË-KRUJË- Në rrugëtimin e tij për problemet e rinisë, Kryetari i PS-së, Edi Rama është ndalur në Fushë-Krujë ku ka zhvilluar një takim të gjerë me të rinjtë e këtij qyteti. "Sensi i Dialogut me Shqipërinë, është sensi i kësaj politike të re, që së bashku me ju të gjithë, unë po përpiqem që të ndërtojmë në çdo qytet dhe në çdo fshat, duke ju dhënë mundësinë njerëzve që të mos jenë vetëm dëgjues pasivë, të mos jenë vetëm objekt, të mos jenë vetëm turmë përpara politikanëve, por të jenë dëgjues aktivë, subjekt dhe individë. Individë që gëzojnë po ato të drejta dhe liri kushtetuese si politikanët, si individë që votojnë për ata të cilët normalisht dhe natyrshëm, të paktën sipas Kushtetutës së Shqipërisë, duhet t'ju shërbejnë me mandatet që marrin prej zgjedhësve. Dua t'ju them që, sigurisht, ka plot gjëra që nuk shkojnë në Shqipëri. Ka plot gjëra për të cilat ne ndajmë të njëjtin mendim. Ka plot gjëra, të cilat prej 17 vjetësh vazhdojnë të mbeten problem i madh, problem për familjet shqiptare, problem për të rejat dhe të rinjtë në mënyrë të veçantë",- tha Rama. Kryetari i PS-së shtoi se, "fatin tonë e kanë pasur një grusht njerëzish, të cilët qëndrojnë mbyllur në kutinë e televizorit dhe dalin që aty vetëm kur është fjala për të bërë fushata elektorale dhe vetëm për të kërkuar votën, e për t'u futur më pas në kutinë e televizorit, e më pas, që aty vazhdojnë të na japin atë shfaqje që kemi 17 vjet që e shohim: sherre, konflikte, ndasi". Duke folur me shembuj konkretë, Rama shtoi se politika nuk është monopoli i politikanëve. "Por politika është mundësia që ka çdo qytetar për të ndikuar dhe për të ndryshuar jetën e vet, duke u bashkuar me të tjerët. Duke u organizuar me të tjerët dhe bashkë me të tjerët, duke çuar kudo mesazhin për gjërat që duhet të ndryshojnë, duke mos lejuar më që me votën e tij, ata që votohen të vazhdojnë të luajnë me të. Nuk ka arsye për të qenë të ndarë sot shqiptaret e shqiptarët e thjeshtë, në çdo qytet dhe fshat, në emër të flamujve të partive, në emër të së majtës dhe së djathtës, në emër të kampeve që politika i ka vendosur me kufi, sepse është koha për t'i dhënë jetë një bashkimi të ri",- tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›